Agron Shehaj, inxhinier hidrokarburesh tha përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë me studion e MCN Economy se kontrata e Bankers nuk është njëlloj si ato që bëhen nëpër botë dhe se pala shqiptare ka frikë t’i hyjë kësaj punë pasi e di që do humbë në gjyq.
Më tej Shehaj sqaron se Bankers e ka fshehur të vërtetën dhe këtë e ka bërë me fryrjen e kostove.
Aty është deklaruar që nuk ka fitim. Pra faktori R ka qenë 1 ose më i vogël, por pala shqiptare ka marrë rentën dhe kjo rezulton të jetë rreth 1.15 bilionë dollarë. Po të bësh një llogari të thjeshtë sa puse kanë shpuar ata gjatë viteve, nga 30 puse vitin e parë, kanë arritur maksimumin 250 puse në mesin e kësaj hapësire kohore. Po t’i shumëzosh këto puse që kanë shpuar me koston që ata harxhonin për ta shpuar një pus i bie një shpenzim prej rreth 3 bilionë dollarë. 3 bilionë po ta shumëzosh me 60% që quhet kosto operative, do të thotë rreth 5 bilionë dollarë, duhet të kishin harxhuar këta. Në bazë të rentës minerare që këta kanë paguar 1 bilion dollarë, do të thotë që këta nuk kanë harxhuar 5 bilionë dollarë, por i kanë fryrë shpenzimet, i kanë çuar në 10 bilionë dollarë.
Kur është negociuar kontratat ka këtë defektin e madh që nuk përputhet me kontratat që bëhen në botë. Mbulimi i kostos është 100%. Nëse amortizimi do të ishte 25% Bankers që shihni sot nuk do të ishin aty po do të kishin falimentuar. Duke qenë se është 100% mbulimi i kostos ata spekulojnë këtu. Spekulojnë në bazë të kontratës. Pala shqiptare ka frikë që t’i hyjë kësaj pune se ata duhet ta rinegocojnë këtë, ata nuk pranojnë ta rinegociojnë. Nëse ata nuk pranojnë ta rinegociojnë atëherë këta do ta hedhin në gjyq, dhe gjyqin e fitojnë ata. Del e humbur pala shqiptare me kontratën e shkruar.
I pyetur për ndërtimin e një rafinerie të re dhe nxjerrjen vetë të naftës, Shehaj tha:
Nuk ka naftë të cilësisë së keqe. Është e rëndë dhe kërkon kosto të lartë për ta nxjerrë. Ka atë faktorin benzinë të ulët kjo lloj nafte, po ajo ka bitume, dhe bitumet shiten shumë shtrenjtë në botë.
Kjo naftë kërkon rafineri me teknologji shumë të lartë. Ajo rafineri që ishte, ishte e teknologjisë shumë të ulët. Kishte 5000-6000 punëtorë, vetëm pagat e tyre shkonin lart.
Të ndërtosh rafineri tjetër do të thotë që të hysh në tregun e rafinerive në botë, nuk e bëjnë qeveritë. Edhe sikur të kesh rafineri, nafta me të cilat furnizohet makina nuk bie.
E vërteta aty është fshehur. Këta kanë fryrë çmimet, koston e kanë bërë të barabartë me të ardhurat dhe nuk kanë paguar fitimin që mund të rezultojë deri në 2 miliardë për palën shqiptare.
Shteti shqiptar ka kapacitet ta bëjë këtë punë, por duhet të orientohet në tregun e naftës. Duhet investojë fillimisht, duhet të heqë këtë kontratë, të falimentojë këta dhe të krijojë një kompani eficente me njerëzit teknologjinë. Kjo nuk është kaq e lehtë.



