Akademiku Artan Fuga tha përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë me studion e MCN Live se klasa politike kërkon ta “kalojë lehtë” vrasjen e gjyqtarin Kalaja, me thirrje për siguri në seancat gjyqësore.
Më tej Fuga tha se shoqëria po shpreh në rrjet mërzinë dhe shqetësimin e saj, por që nuk duhet stigmatizuar në asnjë mënyrë.
Na tregon një shoqëri e cila është e tronditur e para sepse ka një vrasje, një marrje jete të një njeriu. E dyta tregon një ankth dhe një lloj gjendje të shqetësuar të trupës që ushtron detyrën në sistemin e drejtësisë.
Pse e quaj ankth dhe gjendje e tensionuar psikologjike?
Kërkojnë që çështja të zgjidhet sot për dramën që u bë pardje. Nuk është as çështje sallash, as çështje që ta rregullojmë sot. Janë çështje që kanë të bëjnë, në këndvështrimin tim, me modelin e shoqërisë, me modelin e raportit të shtetit me qytetarin, të raportit të drejtësisë me qytetarin, të drejtësisë me ligjin, të ligjvënësit me qytetarin, raportin midis policisë dhe gjyqësorit, te drejtat e avokatit dhe qytetarit në sistemin gjyqësor. Të gjithë këtë problematikë të madhe, reagimi është sikur ‘hajde ta zgjidhim tani se kemi 3 tavolina dhe 2 karrige në një dhomë që po na pengojnë, t’i nxjerrim e mbarojmë punë’. Problemet janë më të mëdha.
Klasa politike nga të dyja anët, duan ta kalojnë lehtë me fjalë të përgjithshme, me thirrje për siguri në seancat gjyqësore. Nuk është kaq problemi. Është një rast ku një pjesë e madhe e shoqërisë në rrjet po shpreh atë që politika s’ka dashur të dëgjojë. Mërzinë popullore e cila jeton në një shoqëri ku nuk merr të drejtën. Nuk mund t’i vihet në ngarkim vetëm gjyqtarëve dhe avokatëve. Një njeri që është në fshatin e vet, lagjen e vet, nuk bën këto analiza, ai thotë unë nuk marr drejtësi. Është momenti i një shprehje e një mërzie të madhe që politika duhet ta dëgjojë.
Nuk duhet në asnjë mënyrë që të stigmatizohet, të hidhej guri mbi opinionin publik shqiptar se një segment ka një humbje të kontrollit në disa fjalë. Kjo nuk do të thotë që gjuha e shprehur është akt në potencë, nuk do të thotë që nuk duhen marrë masa. Nuk është çështja të mbrosh gjyqtarin në sallë. Dhe ata gjyqtarët që kërkojnë mbrojtje kanë të drejtë, por problemi është më i thellë. Themeli është a ka të drejtë qytetari shqiptar të ketë drejtësi ashtu sikur kontrata e kërkon. Jemi zhveshur nga çdo mjet dhune, presim nga shteti të na japë drejtësi.



