Autoritetet ruse mund të kenë mbyllur gazetën e tij, por gazetari Dmitry Muratov refuzon të heshtë. Në një intervistë për BBC kryeredaktori i Novaya Gazeta dhe laureati rus i Çmimit Nobel për Paqe është i shqetësuar se sa larg do të shkojë Kremlini në përballjen e tij me Perëndimin.
"Dy breza kanë jetuar pa kërcënimin e luftës bërthamore," më thotë Muratov, duke shtuar se "Por kjo periudhë ka mbaruar. A do të shtypë Putin butonin bërthamor apo jo? Kush e di? Askush nuk e di këtë. Nuk ka asnjë person të vetëm që mund ta thotë me siguri."
Që kur Rusia nisi pushtimin e saj në shkallë të plotë të Ukrainës në shkurt 2022, kërcënimet bërthamore të Moskës kanë qenë të shpeshta.
Zyrtarët e lartë kanë dhënë sugjerime se vendet perëndimore që armatosin Ukrainën nuk duhet ta shtyjnë Rusinë shumë larg. Pak ditë më parë, presidenti rus Vladimir Putin njoftoi planet për të vendosur armë bërthamore taktike në Bjellorusi.
Më pas, një nga ndihmësit e tij më të afërt, Nikolai Patrushev, paralajmëroi se Rusia kishte një "armë unike moderne të aftë për të shkatërruar çdo armik, përfshirë Shtetet e Bashkuara".
Bllof dhe rrëmujë? Apo një kërcënim që duhet marrë seriozisht? Muratov sheh shenja shqetësuese brenda Rusisë.
"Ne shohim se si propaganda shtetërore po i përgatit njerëzit të mendojnë se lufta bërthamore nuk është një gjë e keqe," thotë ai. "Në kanalet televizive këtu, lufta bërthamore dhe armët bërthamore promovohen sikur reklamojnë ushqim për kafshët shtëpiake."



