
Zjarri në zonën mbi tunelin e Kalimashit është vënë nën kontroll nga forcat e shumta zjarrfikëse.
Komisioni i Mbrojtjes Civile të Prefekturës së Kukësit informon se mbi tunel janë shuar flakët nga ana e Kukësit ndërsa situata është kritike nga ana e Fanit në Thirrë.
Aktualisht në terren janë duke operuar 12 forca zjarrfikëse, 5 punonjës të pyjores, 20 forca vullnetare dhe 18 forca ushtarake të DMR-së Kukës.
Operacioni për shuarjen e flakëve është i përqendruar tek “Laku i Thive” dhe “Qafa e Kumbullës”, në Malin e Rrunës.
Si pasojë e erës, gjatë natës situata e zjarrit në Kukës në zonën e Kalimashit në Thirrë është vështirësuar shumë. Era ka ndihmuar që flakët të mbërrijnë mbi tunelin e Kalimashit dhe në përhapjen e zjarrit.
Që në orët e para të mëngjesit, drejtori i Përgjithshëm i AKMC, Haki Çako, Prefekti i Qarkut Kukës, Zenel Kuçana dhe Prefekti i Qarkut Lezhë, Gjokë Jaku, po ndjekin nga afër situatën duke bashkërenduar punën e forcave të shumta të aktivizuara prej orësh.
“MNZ Kukës, Zonat e Mbrojtura, Policia Ushtarake, FA shqiptare, FA nga Kosova, zjarrëfikëse nga Kosova dhe me mbështetjen e Bashkive Kukës, Mirditë dhe bashkive të tjera kufitare, si dhe të gjitha strukturave të Mbrojtjes Civile të cilat që mbrëmë në darkë janë në terren, po përpiqen të mbajnë jashtë rrezikut zonat e banuara, tunelin e Kalimashit dhe te neutralizojnë situatën”, thuhet në njoftimin për mediat të AKMC.
Nën Koordinimin e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, operacioni vazhdon deri ne normalizimin e situatës dhe vënien nën kontroll të zjarrit.



