Eksperti i mjedisit, Lavdosh Feruni, nw njw lidhje me studion e lajmeve në MCN TV e ka cilësuar nismën më të fundit të qeverisë për financimin e shoqatave mjedisore si një lëvizje të pastër propagandistike dhe elektorale përpara zgjedhjeve lokale.
Feruni deklaroi se kjo skemë tenton të justifikojë shkrirjen e mëtejshme të bashkive dhe përqendrimin e ekonomisë në pak duar, duke e quajtur "paradoksale" që punët kapilare si pastrimi i mbetjeve apo përrenjve t'u hiqen pushtetit vendor për t'iu kaluar organizatave.
Sipas tij, ky projekt nuk është gjë tjetër veçse një formë e modernizuar e blerjes së votës që synon të shuajë valën e protestave që kërkojnë rrëzimin e qeverisë Rama.
Kjo nismë e re është një tentativë për të justifikuar shkrirjen e bashkive dhe për të përqendruar më tepër ekonominë. Për sa kohë flitet për komunitete, ato janë të afta të bëjnë këto punë të vogla, si rasti konkret i grumbullimit të mbetjeve apo mbledhjes së barërave të thata në pyll, të cilat mund t'i menaxhojnë fare mirë bashkitë.
Për mua, bashkitë duhet të jenë më shumë në numër nga sa janë sot, pasi më shumë bashki janë më të afta t'i menaxhojnë këto problematika. Që me grumbullimin e mbetjeve nga përrenjtë të merren shoqatat, kjo është paradoksale. Dhënia e fondeve për këto komunitete apo shoqata që do të krijohen është një lloj joshjeje për të pasur një marrëveshje me qendrën. Nuk ka sens që ministria të shkojë në përrenjtë e mëdhenj për këto punë.
Mendoj që në variantin e tanishëm, ku qeveria synon të reduktojë numrin e bashkive, kjo bëhet e vështirë. Nëse bashkitë janë më pak në numër, menaxhimi vështirësohet. Përkundrazi, shumë fenomene që janë kapilare mund të zgjidhen dhe menaxhohen kur bashkia është më e vogël dhe e ka situatën në dorë. Mendoj se kjo ka edhe një presion të brendshëm brenda komunitetit.
Më tej ai theksoi se sens do të bënte që bashkitë të kenë një fond më të madh për të menaxhuar situata të tilla.
Për mendimin tim, duhen shtuar bashki të tjera që të ofrohen shërbime të shpejta dhe cilësore. Kjo tentativë është një kapje e re e qytetarëve në një formë tjetër, jo më me atë skemën e dhënies së thesit të miellit, por me lekë, për të qenë më e modernizuar. Fakti që këto ide vijnë në këtë kohë tregon se janë të pastudiuara mirë dhe shërbejnë për propagandë.
Kjo është një lloj tulatjeje, por në një fazë tjetër. Duke qenë se kemi edhe zgjedhje lokale për pak muaj, tentativa për të bërë ndonjë model të 'sukseshëm' në këtë drejtim konvertohet në vota në favor të qeverisë.
Ky model i tanishëm është i gabuar dhe mendoj se tentativa është për shuarjen e protestës së madhe, por ajo është shumë më ambicioze në qëllimin e saj dhe synon, natyrisht, rrëzimin e nivelit të qeverisjes së Ramës.



