Trupat e tetë emigrantëve kinezë janë gjetur në një plazh në shtetin meksikan të Oaxaca pasi varka e tyre u përmbys.
Trupat u gjetën të premten përgjatë një rruge të përdorur nga emigrantët e paligjshëm që përpiqeshin të arrinin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shtatë gra dhe një burrë ndodheshin në bordin e një varke të drejtuar nga një meksikan e cila u nis nga shteti Chiapas, në kufi me Guatemalën, të enjten, ndërsa një person tjetër mbijetoi.
Ndërkohë nuk bëhet e qartë se çfarë ndodhi me drejtuesin e varkës.
Zyra e prokurorit në Oaxaca tha se trupat u gjetën pranë një plazhi në qytetin Playa Vicente.
Ajo tha se po hetonte shkakun e aksidentit dhe po punonte me ambasadën kineze në Meksikë për të identifikuar viktimat.
Numri i emigrantëve që tentojnë të hyjnë në SHBA nga Meksika është rritur ndjeshëm vitet e fundit.
Më shumë se 6.3 milionë emigrantë kanë hyrë ilegalisht në SHBA që nga viti 2021.
Numri filloi të rritet në vitin 2018, i nxitur kryesisht nga amerikanët qendrorë të cilët ikën nga një seri krizash komplekse, duke përfshirë dhunën e bandave, varfërinë, shtypjen politike dhe fatkeqësitë natyrore.
Nga emigrantët jashtë Amerikës, numri më i madh vjen nga Kina, një numër në rritje që kërkon t’i shpëtojë një ekonomie të lëkundur dhe represionit politik në vend.
Më shumë se 37.000 shtetas kinezë u ndaluan në kufirin SHBA-Meksikë vitin e kaluar, rreth 50 herë më shumë se shifra e dy viteve më parë.
Objektet e imigracionit dhe strehimoret e Meksikës janë mbingarkuar nga numri në rritje i emigrantëve.
Qeveria e vendit është vënë nën presion të shtuar nga SHBA-ja për të luftuar fluksin pasi emigracioni i paligjshëm është në qendër të fushatës së ardhshme zgjedhore presidenciale në SHBA.



