Eksperti i arsimit Ndriçim Mehmeti tha në MCN Live se po jetojmë në një nga kohërat më të vështira të arsimit në Shqipëri. Ai vuri në dukje se edhe 100 vite më parë kishte një ligj për kategorizimin e pagave të mësuesve, që nuk ekziston sot. Mehmeti shprehet se dhurata më e mirë për mësuesit do ishte që të zbatohej vendimi për pagë 950 euro, por nga ana tjetër kemi mësues që nuk marrin as shpërblim fundviti, as kredi të buta. Nga ana tjetër Mehmeti evdidenton se ka një trajtim të pabarabartë dhe diskriminues, ku shkollat nëpër rrethe nuk kanë të njëjtat standarde me disa nga shkollat kryesore të kryeqytetit.
Jetojmë në një nga kohërat më të vështira që ka arsimi. Gjeta dhe postova sot një fragment se si trajtoheshin mësuesit 100 vjet më parë, në vitin 1924. Kishin paga shumë më dinjitoze, kishte një ligj për kategorizimin e pagave të mësuesve, që ne s’e kemi sot për fat të keq, ne sot kemi një mësues të keqtrajtuar, të keqmotivuar, dhe të keqpërdorur. Unë prisja që sot politika të fliste me akte, që premtimi i famshëm për pagë mesatare 950 euro të ishte në zbatim sot, kjo do ishte dhurata më e mirë për mësuesin. Ne kemi një mësues që s’merr shpërblim në fundviti, që nuk përfiton kredi të buta! Sot breznia e re iku, s’ke njeri nëpër shkolla. Mësuesit shqiptarë as me rajonin nuk krahasohen, as me Kosovën, Serbinë dhe Malin e Zi. Ne kemi shkolla pa internet, shkolla ku kërcet plumbi si rasti i djeshëm. Na u premtua që në shtator që do ketë një perimetër sigurie, ku ishin, dëgjove ti dje të kishte një përgjegjës. Kush e mban përgjegjësinë për bojkotimin dhe traumën. Si mund të diskutojmë ne sot për mësuesin, kur s’kemi siguri. Sot duhet të kishte reflektim, pa video për patriotizëm nxjerr unë që të qajë mileti një javë. E dini sa para merr një edukatore kopshti? Merr 47 deri në 49 mijë lekë të reja, ndërkohë që një sanitare merr 52 mijë lekë të reja. Je i demotivuar, nuk shkon dot në një fshat të punosh, sepse do nxjerrësh nga lekët e tua.
Sa student kemi ne për gjuhësi? Sa vjen edhe më pak. Kemi edhe përgatitje shumë të dobët. Ne marrim 10 në anglisht dhe 5 në gjuhën shqipe në Maturë. Më fal por ne nuk jemi shtet kolonial! A kemi projekte të gjalla si t’i bëjmë nxënësit të afrohen te libri?! Nuk kemi promovim të mësuesit, si ngrihet në karrierë një mësues?! Ky testim duhet ndryshuar, ai është qesharak për mua. Me atë testin ndodh që unë marr 50 pikë dhe kaloj, ti merr 98 pikë dhe thjesht merr një certifikatë, por kemi të njëjtën rrogë. Një mësuese me 20 vite përvojë në Kotorr merr 1100 euro, që këtu i merr vetëm profesori i asociuar. Fëmijët tanë ç’nuk hanë, pastaj fillon obeziteti, ankthi, traumat. Të merremi me kurrikulën, tekstet, që të jenë të pranuara dhe të përthithshme nga nxënësit. Ne duhet të bëjmë qytetarë, qytetarë të mirë. Shkoni në rrethinat e Tiranës, a kemi të njëjtat kushte si ‘Sami Frashëri’? Sepse ne nuk mund të bëjmë kushte diskriminuese. Duhet të jenë të gjitha si ‘Sami Frashëri’. Qytetarët janë të barabartë. Ne diskutojmë çdo vit do ngrohet shkolla, do ftohet shkolla, një diskutim banal, në vend që të diskutonim për cilësinë e arsimit, dhe pastaj do vijmë te PISA”.



