Vrasja e ambasadorit rus në Ankara, Andrey Karlov, ishte një vrasje me paramendim dhe e planifikuar mirë. Ajo nuk ishte thjesht një iniciativë personale, tha në një konferencë shtypi ministri i Brendshëm i Turqisë.
Karlov u vra ndërsa mbante një fjalim në një ekspozitë të titulluar “Rusia në sytë e turqve”, të hënën, në Ankara.
Mevlut Altintas, 22 vjeç, një pjesëtar i forcave të sigurisë turke, e qëlloi për vdekje para të pranishmëve dhe kamerave.
Hetimet për të zbardhur plotësisht këtë vrasje vijojnë. Lidershipi turk akuzoi menjëherë pas ngjarjes lëvizjen e Fetullah Gylenit, armiku numër një i presidentit Erdogan që pas grushtit të dështuar të shtetit në korrik.
Sipas zyrtarëve të lartë turq, Gyleni e ka nxitur këtë vrasje, me qëllim prishjen e marrëdhënieve Rusi-Turqi.



