Pasioni për kuajt nuk është vetëm një hobi për Shkëlzen Brahajn por është një mënyrë jetese që ai e ka ndarë me birin e tij 7-vjeçar, Semin.
I ftuar në emisionin “Zgjohu me MCN”, Brahaj tregoi historinë e lidhjes së tij me këto kafshë fisnike, si dhe mënyrën se si djali i tij po rritet me të njëjtën dashuri për ta.
Jam me kuajt prej vitesh. Ky pasion ka nisur si dashuri dhe është kthyer edhe në punë, kam hapur një fermë, ku kujdesemi çdo ditë për ta.
Djali im Semi, më ndjek në çdo hap. Ai është gjithmonë me mua, në stallë, në shëtitje, mbi kalë. Që i vogël e ka pasur këtë lidhje të veçantë.
Një nga kuajt e fermës është një hamshor arab me temperament shumë të fortë, të cilin kalorës të përgatitur e kanë pasur të vështirë ta drejtojnë. Por kur në shpinë i hip Semi, gjithçka ndryshon.
Ky kali sillet ndryshe me Semin. Është më i butë, më i kujdesshëm, sikur e kupton që ka një fëmijë mbi vete. Kjo tregon sa ndjeshmëri kanë kuajt ndaj kalorësit.
Semi vetë rrëfen me entuziazëm për kuajt. Ai ka zgjedhur vetë emrin për mëzin më të vogël në fermë që e ka quajtur Renea.
Rena është mëzi im, është gjashtë muajsh dhe është kali im i preferuar. I çoj karrota e mollë, shkoj te stalla ndoshta 15 herë në ditë.
Nuk kam frikë nga kuajt. Shokët e mi kanë frikë, por unë jo, kuajt janë të dashur, nuk të bëjnë keq.
Kur isha 4 vjeç, hipa mbi një kalë 4 vjeç dhe fatmirësisht nuk rashë. Ishte emocion i madh.



