Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Sylë Hoxha, mbajti një konferencë për media, ku foli rreth raportit të autopsisë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore, për të ndjerin Astrit Dehari.
Hoxha me këtë rast ka thënë se vdekja e Astrit Deharit ka ardhur nga asfiksia dhe mbyllja e rrugëve të frymëmarrjes.
"Informojmë se prokuroria ka pranuar raportin e autopsisë së Astrit Deharit. Pas një hetimi të gjatë, ne si prokurori kemi ftuar përfaqësuesin dhe prindërit e të ndjerit Dehari, për t'i njoftuar për rezultatin. Raporti ka ardhur si pasojë e asfiksia mekanike apo mbylljes së rrugëve të frymëmarrjes.
Rezultati i analizave për barna tregon se janë negative. Informojmë opinionin publik se natën e incidentit nga Policia e Kosovës dhe ekspertët kanë filluar ekzaminimin e vendit të ngjarjes ku janë gjetur edhe disa dëshmi të ndryshme.
Dhoma e tij ku ka qëndruar është mbyllur ku edhe janë shtjelluar hetimet. Nga qendra e paraburgimit janë marrë xhirimet dhe janë hetuar ato. 17 persona janë marrë në pyetje dhe janë marrë të gjitha dëshmitë. Nga dëshmitë e siguruara nuk është vënë asnjë dëshmi për përleshje fizike në mes të paraburgosurve apo personave të sigurisë. Nga evidentimet janë hetuar të gjitha lëvizjet e të burgosurve në atë datë të vdekjes së Deharit.



