Politologu Ilir Kalemaj duke folur në edicionin e lajmeve në MCN TV e konsideroi një takim rutinë atë të Delegacionit të KiE me Sali Berishën. Lidhur me situatën në Kosovë Kalemaj tha se qëndrimi i SHBA-ve ka qenë i qartë dhe i drejtpërdrejtë, ndërsa ai i BE-së ka qenë i dobët. Nisur nga reagimet e Londrës dhe Berlinit, Kalemaj tha se ka shpresë për një ripozicionim apo kthesë në raport me konfliktin Serbi-Kosovë.
“Këto janë takime rutinë në fakt, të Delegacionit të Këshillit të Europës, Këshilli të OSBE-ODIHR. Berisha përfaqëson një forcë politike që renditet e dyta”, tha ai. Lidhur me grupimin e Berishës dhe atë të Bashës, ai shtoi se: “Ato janë parti të ndara, kanë vepruar si dy parti të ndara, që shumicën e arsenalit retorik e kanë adresuar ndaj njëri-tjetrit, në vend që ta adresojnë ndaj kundërshtarit. Sot janë më larg se kurrë, njëra palë përdor retorikën që pala tjetër është i kapur nga Rama. Është një krizë që unë e kam thënë qysh në fillim, më mirë një ndarje e tmerrshme se sa një tmerr pa fund. Do ta kishin më të lehtë për një koalicion parazgjedhor në zgjedhje”.
“Që para një viti e gjysmë kam dhënë disa paralajmërime publike. Serbia shpenzon në vit mbi 1,5 miliardë euro, duke e shtuar pjesën e buxhetit për ushtrinë. Nëse Kosova shpenzon 150 milionë euro, Serbia shpenzon 10-fishin. Serbia i ka blerë kryesisht nga Federata Ruse dhe nga Kina. Serbia është i vetmi shtet jashtë Kinës që ka blerë sistemin raketor kinez. Kjo tregon sa të forta dhe domethënëse janë disa lidhje.
Vet konflikti është orkestruar tërësisht nga Serbia, nga Beogradi. Është e pakonceptueshme nga e gjeti gjithë atë arsenal armësh. Të njëjtën gjë thoshte Serbia e Millosheviçit që janë serbë lokalë të krahinës. E njëjta gjë në Krime që në fillim s’pranoheshin që ishin nga Kremlini. Por më vonë vet Kremlini e pranoi që ata ishin bijtë e tij. Si mund të thuash që badigardi i Vulinit…
Qëndrimi i Uashingtonit ka qenë shumë herë më i qartë dhe i drejtpërdrejtë. Kemi pasur edhe dje një bisedë telefonikë ku Blinken i kërkoi nominalisht të tërhiqte ushtrinë nga kufiri. Ambasadori amerikan në Prishtinë pas ngjarjes e ka dënuar me një gjuhë që e tejkalonte atë të z.Rama. Reagimi i BE ka qenë i dobët. Kemi një lloj anshmërie të Lajçakut dhe Borrelli-t, pasi kanë qenë ministra të Jashtëm duke nxitur mos njohjen e Kosovës nga vendet e tyre. Situata e asaj që ndodhi në Kosovë, ka marrë mbështetje jo të vogël politike nga Britania e Madhe dhe Gjermania. Këto të japin shpresë që kemi një lloj ripozicionimi apo kthese. Se dukej sikur kishim një koordinimi deri diku të BE-Uashigtonit që të mos ta linin Serbinë të rrëshqiste në orbitën ruse, por nuk ka funksionuar”, tha Kalemaj.



