Zyrtarët amerikanë thonë se llogari të lidhura me Rusinë në rrjete sociale po përhapin lajme të rreme e të pabaza se ishte Amerika ajo që filloi përhapjen e koronavirusit.
Sipas tyre, mijëra profile në Twitter, Facebook dhe Instagram po e nxisin këtë teori, njofton BBC.
Duke iu përgjigjur akuzave të shtunën, Ministria e Jashtme ruse i hodhi poshtë këto deklarata si "të rreme"."Kjo është një histori e sajuar me qëllim", tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme në Rusi, Maria Zakharova, për agjencinë e lajmeve “Tass”.
Media ruse lë të kuptohet se ka një konspiracion amerikan për sa i takon koronavirusit.
Mbi 2 000 njerëz kanë vdekur, kryesisht në Kinë, dhe më shumë se 76 000 njerëz janë konfirmuar të prekur nga koronavirusi i ri.
Një teori konspirative, që qarkullon në internet në disa gjuhë, pretendon se virusi është një përpjekje për të zhvilluar "luftë ekonomike kundër Kinës".
"Duke përhapur dezinformata për koronavirusin, aktorët malinjë rusë po zgjedhin përsëri të kërcënojnë sigurinë publike duke e zhvendosur vëmendjen nga reagimi global i autoriteteve shëndetësore", i tha agjencisë së lajmeve AFP-së, Phillip Reeker, ndihmëssekretar i shtetit për Evropën dhe Euroazinë.
Postimet akuzuan gjithashtu bashkëthemeluesin e Microsoft, Bill Gates, për përfshirje në shpërthimin e epidemisë.
Sipas agjencisë së lajmeve AFP, fushata e dezinformimit u identifikua nga vëzhguesit amerikanë në mesin e janarit, menjëherë pasi u njoftua vdekja e tretë nga koronavirusi i ri.
Televizioni rus raporton se elitat perëndimore, veçanërisht SHBA, janë fajtorë.
Një nga rrjetet kryesore televizive të vendit, Channel One, ka hapur një rubrikë të veçantë kushtuar teorive të komplotit të koronavirusit në programin kryesor të lajmeve në mbrëmje.
Teoritë e komplotit sugjerojnë se aktorë të ndryshëm perëndimorë si kompani farmaceutike, SHBA ose agjencitë e saj - janë të përfshirë në ndihmën për të krijuar ose përhapur virusin, ose të paktën në përhapjen e panikut në lidhje me të.



