Një udhëtim katërshekullor në historinë dhe arkitekturën e Shqipërisë, nëpërmjet studimit të objekteve të kultit. “Xhamitë e Shqipërisë - historia dhe arkitektura e shekujve 15-19”, një studim i thelluar i arkitektit, studiuesit të monumenteve fetare dhe ish-kryeministër i Shqipërisë, Aleksandër Meksi mblodhi të martën pedagogë, studiues dhe njohës të pasionuar të historisë, arkitekturës e besimit mysliman.
Libri i botuar nga shtëpia botuese “Plejad” është një ripunim i botimit me të njëjtin titull të vitit 2017, por më i zgjeruar me të dhëna dhe ilustrime, në dobi të njohjes më të mirë të trashëgimisë fetare në lëmin e arkitekturës.
Ndërtimet e kultit mysliman me shumëllojshmërinë e tyre zënë një vend të rëndësishëm në tërësinë e arkitekturës së mesjetës së vonë, shekujt 15-19, për Shqipërinë. Studimi është një analizë e thelluar e ndërtimeve të kohës, nivelit dhe shtrirjes së tyre, por edhe një vëzhgim i detajuar i tyre si dëshmi e dukurive historike në katër shekuj. Në përmbyllje të një pune shumëvjeçare, autori ka një dëshirë: vijimin e punës studimore në këtë aspekt për ndërtimet e arkitekturës osmane në të gjitha trojet e banuara nga shqiptarët.
"Libri për arkitekturën e xhamive që ruhen në Shqipëri, që janë ndërtuar në shekuj në vendin tonë, historia e tyre, rrethanat historike, vendet ku janë ndërtuar, karakteristikat e secilës dhe në tërësi e kësaj arkitekture, është një studim dhe më i vjetër, që në kohët kur unë kam filluar të punoj në Institutin e Monumenteve të Kulturës. Por që ky ribotim është bërë i një cilësie pak më të mirë, më të plotë, janë grumbulluar materiale më të shumta, në mënyrë që studiuesit shqiptarë por edhe të interesuarit, pavarësisht se sot nuk ka një interes aq të madh sa dikur për çështjet kulturore - jam i bindur se ky interes do të vijë duke u rritur - ky libër do t’u shërbejë. Në të janë pasqyruar xhamitë e shtrira në të tërë territorin e sotëm të Shqipërisë, por sipas të dhënave historike, sipas të dhënave të udhëtarëve që gjatë shekujve XVII-XVII, kanë vizituar Shqipërinë, unë kam përfshirë duke i emërtuar qoftë edhe si numër, të tëra ndërtimet e arkitekturës osmane, përgjatë trojeve ku shqiptarët kanë banuar gjatë mesjetës, që nga Preveza, në Tivar, në Nish, në Shkup, në mënyrë që të kemi një njohje më të plotë të kësaj arkitekture. Unë shpresoj që të tjerë pas meje do ta trajtojnë në rrethana më të mira, me mundësi më të mëdha sesa kemi pasur ne dhe sigurisht, kjo është një gjë e dobishme për kulturën shqiptare", thotë ai.
Në aktivitetin e promovimit të botimit të ri, morën pjesë ambasadori turk në Tiranë, Murat Ahmet Joruk, historiani i njohur Ferit Duka, drejtori i Qendrës Kulturore Turke Jonus Emre, Omer Demirbash dhe drejtori i shtëpisë botuese “Plejad”, Ndriçim Kulla.
Për ambasadorin turk, Joruk, libri analizon të kaluarën e përbashkët të popujve dhe ka një rëndësi ndriçuese.
"Kjo vepër ka cilësinë si libri i parë që flet për historinë, arkitekturën dhe botëkuptimin estetik të xhamive në Shqipëri. Uroj që përveç shqipes, kjo vepër të përkthehet edhe në turqisht, edhe në anglisht, me qëllim që të shndërrohet në një burim me përmasa ndërkombëtare për të gjithë historiantë, arkitektët, arkeologët, por edhe për lexuesit që kanë interes", tha Joruk.
Historiani Ferit Duka e sheh librin si një vepër fondamentale me rëndësi të jashtëzakonshme për studiues të disiplinave të ndryshme të historisë
Për botuesin Ndriçim Kulla, puna gjysmëshekullore e Meksit si restaurator i monumenteve të kultit i ngjan asaj të një banori të shkretëtirës që mban gjallë oazet si simbol i jetës.



