
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha gjatë një takimi që pati sot me përkrahës të PD në Berat, tha se shtyrja e zgjedhjeve vendore nuk është antikushtetuese.Ai u shpreh se arsyeja e Edi Ramës për të mos shtyrë zgjedhjet sepse e ndalon Kushtetuta, nuk qëndron.
Kreu i opozitës tha se kundër kushtetutës nuk është opozita, por Edi Rama, që ka asgjësuar garduanët e Kishtetutës, Gjykatën e Kushtetutës, kundër kushtetutës është procesi monist i manipuluar, me emërim të opozitës fallco, me kandidatë fallco, kundër kushtetutës është procesi me 1.4 milionë karta identiteti. Basha tha se bashkimi i shqiptarëve me opozitën është akti më kushtetues në shërbim të interesave më të mira të Shqipërisë.
“Kundër Kushtetutës nuk është shtyrja e zgjedhjeve”, tha Basha, duke u treguar i vendosur se nuk do të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve në 30 qershor, që sipas tij është “tentativë për grusht shteti kushtetues”.
“Paniku dhe çoroditja derdhet në çdo fjalë e broçkull të Edi Ramës, 30 qershori nuk mund të jetë ditë zgjedhjesh. 30 qershori është një tentativë për një grusht shteti kushtetues. Dëgjojeni se çfarë thotë, nuk i shty zgjedhjet se nuk më lejon kushtetuta. Dy herë i shtyu zgjedhjet ky që thotë nuk më lejon Kushtetuta. Kundër Kushtetutës nuk është shtyrja, por është të emërosh kandidatë me rekorde kriminale. Kundër Kushtetutës është të shantazhosh dhe të mos lejosh zbardhjen e blerjes së votës në vitin 2017. Kundër Kushtetutës është të fusësh duart dhe të manipulosh regjistrin e gjendjes civile, është të emërosh kandidatë për kryetarë bashkie njerëz të cilët duhet të kishin dalë se i kap ligji i dekriminalizimit”, deklaroi Basha.
Sipas Bashës, nuk ka më kompromis, me të keqën.
“Këtu nga kjo sallë ju them sonte: Pazar me Edi Ramën kurrë më. Largimi i tij është i panegociueshëm për ti hapur rrugë vullnetit popullor dhe garës së ndershme, zgjedhjeve të lira", tha kreu i PD-së, Lulzim Basha.



