
Bashkëkryeari i Komisionit të Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri, shpreh gatishmërinë për t’u tërhequr nga ky pozicion në të mirë të dialogut me opozitën. Ish-ministri Damian Gjiknuri e bëri këtë deklaratë një ditë pasi PD-ja iu përgjigj negativisht ftesës së kryeministrit për dialog, duke u shprehur se “nuk bëhet reforma zgjedhore me Damian Gjiknurin”, i përfshirë në përgjimet e dosjes 184.
“Jam i gatshem të rishikoj pozicionin tim në komisionin parlamentar të reformës zgjedhore, si bashkëkryetar, me kusht që PD të njohë komisionin”, u shpreh Gjiknuri para mediave.
“Më herët kam pasur kritika edhe nga PS sepse kam dashur që PD të ishte pjesë e komisionit të reformës zgjedhore”, shtoi ai.
Akuzat e opozitës për dosjen e zgjedhjeve të Dibrës, Gjiknuri i cilësoi akuza thjesht politike.
“Nuk ka asnjë akuzë penale ndaj meje, gjithçka është akuzë politikë sic cdo politikan. Nëse është kushti i vetëm dhe ata njohin komisionin e reformës zgjedhore, unë jam i gatshëm të ofroj një zgjidhje, pasi të komunikoj me kreun e partisë. Nuk mund të plotësosh kushte pa bërë veprimet e tua. Ata të vijnë të kontribuojnë, unë kam qenë ai që kam gjetur kompromise me opozitën”, tha ai.



