
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi në një deklaratë për mediat, ka bërë publike provat zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme, në lidhje me hetimin ndaj të emëruarit të Edi Ramës në bashkinë e Vorës, Agim Kajmaku.
Sipas Bardhit, Interpol Tirana ka faktuar se Agim Kajmaku është i njëjti person me Jorgo Toton, i cili është arrestuar në Greqi, pasi kishte në zotërim para të falsifikuara.
“Nga informacioni i zyrës Interpol Greqi rezulton se nga krahasimi daktiloskopik i gjurmëve të gishtave të shtetasit Agim Kajmaku me gjurmët daktiloskopike që ndodhen në bazën e të dhënave kriminale të Greqisë, rezulton se këto gjurmë përputhen me gjurmët e gishtave të shtetasit Jorgo Toto”, u shpreh Bardhi.
Bardhi është shprehur se prokuroria ka konfirmuar se Agim Kajmaku, përfshihet në përcaktimin e pikës 3 të ligjit për dekriminalizimin, që sjell edhe faktin se ka fshehur në deklaratën e tij se ka qenë i arrestuar në Greqi.
‘Konfirmohet zyrtarisht se Agim Kajmaku i Bashkisë së Vorës është Jorgo Toto, i denoncuar nga Partia Demokratike’, tha Bardhi.
Sipas akuzës, Kajmaku e ka fshehur arrestimin dhe duhet të shkarkohet nga funksionet publike.
‘Prokuroria ka dalë në perfundimin se Agim Kajmaku duhet të skualifikohet menjëherë nga funksioni publik’, u shpreh Gazment Bardhi gjatë konferencës për mediat.
‘Nga verifikimet e kryera konfirmohet se Agim Kajmaku ka patur dijeni të plotë në lidhje me faktin se ka qenë në hetim penal në Greqi dhe se ndaj tij kishte një proces gjyqësor në zhvillim.
Kjo sepse ai është arrestuar në flagrancë dhe ka dalë para gjykatës greke, ku i është bërë e ditur e gjithë procedura që do të ndiqet ndaj tij.
Nga ana tjetër, rezulton se Agim Kajmaku ka kryer veprime konkrete për fshehjen e këtij fakti para autoriteteve shqiptare, duke ndryshuar në datën 30 Mars 2004 emër/mbiemër nga ‘Jorgo Toto’ në Agim Kajmaku, si dhe duke mos e deklaruar këtë fakt në formularin e dekriminalizimit’, thuhet në hetimin e prokurorisë.
‘Çdo alibi e krijuar nga Edi Rama dhe përfaqësuesi i tij në Bashkinë e Vorës, është rrëzuar. PD e ka te qartë se Edi Rama nuk ka vullnet për ta luftuar krimin dhe se pushtetin e tij e ka te lidhur me krimin.
Mirëpo shkarkimi i menjëhershëm nga detyra i Agim Kajmakut, nuk është me një çështje e vullnetit në dorë të Edi Ramës. Edi Rama ka detyrimin kushtetues dhe ligjor të shkarkojë menjëherë nga detyra kryetarin e Bashkisë së Vorës, Agim Kajmaku, i cili është arrestuar dhe ka qenë në kërkim ndërkombëtar deri në shtator 2019’, tha Gazment Bardhi gjatë konferencës për mediat.



