Afrovita Dhimojani, anëtare e PD në Këshillin Bashkiak në Himarë e konsideroi një show bajat atë të kryeministrit Rama sot në Himarë. Dhimojani tha se sot shpërndanë certifikatat e pronësisë të shtëpive të vjetra, dhe jo të pronave, dhe nuk është zgjidhur çështja reale e pronave të himariotëve. Lidhur me deklaratat e Ramës për Vangjel Tavon, ajo shtoi se prefekti i Vlorës s’ka lidhje me himariotët, por u la të nënkuptohet se ai do jetë kandidati potencial për Bashkinë e Himarës.

"Ajo që u pa sot në Himarë është show i radhës, që prej 12 vitesh Rama e bën sa herë është në një proces të afërt zgjedhor. Një show tepër bajat, sepse është e disata herë që ndodh kjo situatë në Himarë. U pa në sheshin e Himarës, që më shumë kishte badigardë dhe polici, si punonjës të bashkisë, që janë të detyruar të jenë në atë miting, se sa qytetarë të Himarës. Ajo që pamë ishte se Rama erdhi dhe trumbetoi detyrën që ka qeveria për të dhënë titujt e pronësisë, me atributin që ne po u japim titujt e pronave të gjyshërve dhe stërgjyshërve tanë. Një abuzim që ne si PD dhe koalicion fitues e kemi konstatuar gjatë gjithë fushatës, prandaj ishte ajo votë që bëri fitues koalicionin ‘Bashkë Fitojmë’.
Kjo deklaratë në vijim të vazhdave të deklaratave politike për t’u hedhur hi syve të himariotëve. Rama duhet të thoshte për çfarë arsye s’po lexohet vota e himariotëve dhe bashkia e Himarës ka prej një viti që ka dalë jashtë funksionalitetit. Sot u shpërndan certifikatat e pronësisë të shtëpive të vjetra, dhe jo të pronave, dhe nuk është zgjidhur çështja reale e pronave të himariotëve. Mënyra si merren pronat e Himarës, është që nuk merren dhe shiten me vullnetin e lirë nga himariotët, por nën presion, që nëse s’ma shet mua, nuk merr certifikatën e pronësisë, nesër pasnesër prona merret tjetërsohet te një investitor strategjik. Prefekti i Vlorës s’ka asnjë lidhje me Himarën dhe himariotët. Himariotët kanë zgjedhur kryetarin e bashkisë, dhe ajo bashki duhet të fillojë të funksionojë. Biznesmenët e mëdhenj që ndërtojnë në Himarë janë të njëjtët që ndërtojnë në gjithë Shqipërinë. Prej 12 vitesh që Bashkia e Himarës qeveriset nga socialistët, kryeministri duhet t’i kishte dhënë një zgjidhje çështjes së pronave në Himarë. Zgjidhja konkrete është duke u njohur pronësinë himariotëve. Z.Vangjel Tavo u nënkuptua që mund të jetë kandidati potencial për Bashkinë e Himarës, për sa kohë që thotë që zgjidhjen e keni te prefekti i Vlorës”.



