Kryeministri i Hungarisë Viktor Orban theksoi edhe një herë sot kundërshtitë e tij për sanksionet e BE, ku përfshihet embargoja ndaj importeve të naftës. Orban tha se plani i ri i sanksioneve përbën "një bombë bërthamore" për ekonominë e Hungarisë.
"Me embargon ndaj naftës ruse, Komisioni Evropian po përpiqet të vendosë një rregull të vetëm për të 27 vendet anëtare", u shpreh Orbán për kanalin radiofonik të shërbimit publik Kossuth Rádió.
"Kjo do të përbënte një kërcënim për ekonominë hungareze sepse ajo injoron kontekstin lokal", tha ai. Orban u shpreh për radion shtetërore se Hungarisë do t’i duhen 5 vjet dhe do të bëjë investime të mëdha në rafineritë dhe tubacionet e saj për të qenë në gjendje të transformojë sistemin e saj aktual, që mbështetet rreth 65% në naftën ruse.
Sipas draftit më të fundit të sanksioneve, i cili ende duhet të miratohet nga të gjitha vendet anëtare, vendet e BE-së do të duhet të heqin gradualisht naftën ruse deri në fund të vitit. Hungaria dhe Sllovakia do të kenë një vit shtesë për ta bërë këtë.



