Presidenti rus Vladimir Putin thotë se Moska ka forcën dhe mjetet për ta çuar luftën e saj të paprovokuar ndaj Ukrainës në një “përfundim logjik”.
Komentet e tij në një intervistë me median shtetërore ruse vijnë në një kohë kur përpjekjet ndërkombëtare për të ndaluar luftën në Ukrainë kanë pasur sukses të kufizuar, më shumë se tre vjet pasi Putini nisi pushtimin e tij në shkallë të plotë.
Ne kemi forcë dhe mjete të mjaftueshme për ta çuar atë që filloi në vitin 2022 në një përfundim logjik me rezultatin që kërkon Rusia.
Nuk ka nevojë për të përdorur armë bërthamore në konfliktin e Ukrainës... dhe shpresoj se nuk do të jenë të nevojshme.
Në nëntor, Putin nënshkroi një version të ripërpunuar të doktrinës bërthamore të Rusisë e cila përcaktonte rrethanat në të cilat ai do të përdorte arsenalin e tij atomik, më të madhin në botë.
Putin njoftoi një armëpushim të përkohshëm tre-ditor që fillon më 8 maj për të shënuar fundin e Luftës së Dytë Botërore. Në përgjigje, ministri i Jashtëm i Ukrainës, Andrii Sybiha, bëri thirrje që armëpushimi të zgjasë të paktën 30 ditë, duke përsëritur një propozim nga Kievi që Moska nuk e ka pranuar.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të premten se njoftimi i Rusisë për një armëpushim të njëanshëm 72-orësh është një “shfaqje teatrale” dhe vetëm një përpjekje për të krijuar një atmosferë të butë përpara festimeve të Rusisë.
Në orët e vona të së shtunës Zelensky tha se Kievi është gati të ecë drejt një armëpushimi sa më shpejt të jetë e mundur nëse Rusia është e gatshme të ndërmarrë hapa reciprokë për të vendosur heshtje të plotë, një armëpushim të qëndrueshëm prej të paktën 30 ditësh”.



