Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, thotë se Shqipëria rrezikon të humbasë shansin për hapjen e negociatave, për shkak të krizës politike në vend. Gjatë qëndrimit në Gjermani, ku ka marrë pjesë në Kongresin Ekonomik të Unionit Kristiandemokrat/Kristiansocial, Basha tha situata në të cilën ndodhet vendi po bën që shumica e vendeve të BE-së të ngurrojë kur vjen fjala për vendimin për hapjen e negociatave.
“Gjermania është e shqetësuar për gjendjen ku ndodhet vendi aktualisht. Në momentin aktual në Gjermani dhe në shumicën e vendeve vendimmarrëse të BE predominon mendimi se nuk do të ketë vendim pozitiv për hapjen e negociatave pa u tejkaluar kriza politike, e cila është e vetmja rrugë për të plotësuar detyrat e paplotësuara si lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe dënimi i politikanëve të kapur në bashkëpunim me krimin e organizuar për të vjedhur votat. Nëse nuk ka ndryshim, Shqipëria rrezikon të humbasë një mundësi të madhe, i cili do ta veçonte edhe nga Maqedonia e Veriut”, tha ai.
Kreu i PD-së ka thënë se vendimi për të hequr dorë nga mandatet ishte rruga e vetme që i mbetej opozitës. “Hapi i opozitës është hap i fortë, por ka shërbyer për të ilustruar krizën ku ndodhet vendi. Stanjacioni total, kriza politike dhe kushtetuese janë arsyeja që na çuan në këtë vendim”, ka thënë ai.
Basha ka përsëritur qëndrimin e tij në lidhje me ftesat e kryeministrit për dialog, përmes letrave publike të javës së shkuar.
“Nuk është çështje personale. Bëhet fjalë për një qasje serioze dhe një përkushtim të dimensionit europian. Prandaj ndodhem unë sot këtu dhe jo zoti Rama. Si mund të pritet zgjedhje përmes letrave, kur nuk trajtohen probelemet kryesore të krizës si: vjedhja e votës, mungesa e insitucioneve të drejtësisë, përqendrimi i pushteteve në një dorë, pastrimi i parave të pista. Shkaktari i këtyre problemeve nuk mund të jetë zgjidhja e tyre”, ka thënë ai për Deutche Welle.



