
Romina Ruda është një nga figurat më të dashura të fëmijërisë së viteve 2000, e cila përmes emisioneve të saj në Radio Televizionin Shqiptar, ka qenë pjesë e përditshmërisë së shumë fëmijëve shqiptarë.
Sot, ajo është shkëputur nga paraqitja në ekran për t’iu përkushtuar prapaskenave dhe punës si regjisore.
E ftuar në emisionin e mëngjesit “Zgjohu me MCN”, Romina ndau përvojën e saj të veçantë 14-vjeçare në emisionet për fëmijë.
Kam nisur televizionin që në moshën 4-vjeçare.
Çdo javë më çonin prindërit në RTSH. Gjithmonë kam qenë ‘star-i’ i shtëpisë, nuk më mbyllej goja.
Frida Dobra ka qenë organizatore në televizion. Duke më dëgjuar sa shumë flisja, i tha mamasë: ‘Sille vajzën në TV’.
Duke qenë se jam rritur me hallën në shtëpi, Rita Latin dhe se kam pasur një ndikim të madh nga ajo.
Prezantimi i emisioneve për fëmijë në atë kohë nuk ishte thjesht lojë, kishte përgjegjësi dhe disiplinë.
Në RTSH kishte një departament të dedikuar për fëmijë, që i jepte hapësirë talenteve të vegjël të shfaqeshin në ekran. Ishte një eksperiencë e bukur, sepse kisha afër modele të mira që më frymëzonin të isha edhe unë e zonja dhe e shkathët.
Unë kujtoj me mall edhe punën me Teta Mirën, e cila i shkruante skenarë me pesë faqe çdo javë. I mësoja përmendësh dhe përgatitesha gjatë gjithë javës për të qenë sa më e përpiktë në transmetim.
Të ishe fëmijë i famshëm në atë kohë nuk ishte e vështirë. Mami gjithmonë më mbante me këmbë në tokë. Më thoshte: ‘Je e talentuar, por ki parasysh që ka shumë fëmijë të tjerë të talentuar, thjesht ti ke pasur fatin të të zbulojnë.’”
Pas moshës 14-vjeçare, Romina dëshironte të zhvillohej më tej, por për publikun e RTSH ajo vijonte të shihej si “vajza e vogël”.
Nga mosha 14-18 vjeç, dëshironte të krijonte emisione për të rinj, por imazhi i saj i mëparshëm skenik e kufizonte.
Jam rikthyer në televizion 10 vite më vonë, në një emision të turnit të tretë, tashmë si e rritur. Me kalimin e kohës kuptova që pas moshës 20-vjeçare doja një jetë më private.
I kisha dhënë vetes 14 vite para kamerës, tani doja të jepja diçka ndryshe: punën pas kamerës.
Unë akoma e konsideroj një bekim faktin që njerëzit më afrohen në rrugë për të më thënë se janë rritur me mua.
Është një ndjenjë shumë e bukur. Ndihem mirënjohëse sa herë që dal në televizion.
Kjo përvojë më ka ndihmuar në artikulim, në prezencë skenike. Me kalimin e viteve, me më shumë akses në industri, lindi edhe dëshira për regji.



