Gjuhëtari Gjovalin Shkurtaj ngriti shqetësimin në emisionin “Arnautistan” për faktin që shpërdorimet po kthehen normë në gjuhën shqipe. “Pse duhet të themi çmime të çmendura, kur mund të themi çmime të mira, të lira. Ose gjëra që mund të thuhen mbarë thuhen mbrapsht. Mbrëmë- tha -u mbyt sa ra në kontakt me ujin. Po të rëntë pika në lule të ballit! Se thuhet shqip thuhet sa hyri në ujë. Po pi një kafe thotë shqiptari, jo thonë po konsumoj një kafe, një drekë. Këto janë më të përbindshme se fjalët e huaja të huazuara, sepse huazon strukturën. Ose kur thonë ‘kush ministër’, ‘kush çështje’, por ‘kush’ është vetëm për njeriun pa emër mbrapa. S’mund të thuash kush nxënës, cili nxënës. Kjo është për analfabetët. Ose kur thonë vrasje e dyfishtë, e trefishtë, apo e katërfishtë! Dyfish do të thotë që e vret njëherë me pushkë pastaj me litar! Latinët thoshin që përdorimi i mirë është baza, këtu janë shpërdorimet që bëhen normë. Një nga pjesët që duhet ta kishim ndrequr është i foluri në publik”, tha ai.



