Fustani që këngëtarja Amy Winehouse mbajti veshur në performancën e saj të fundit u shit të dielën për 243 200 dollarë, 16 herë më shumë se vlera fillestare. Fustani ishte pjesë e një koleksioni sendesh personale nga jeta e divës së ndjerë, të cilat dolën në ankand në Kaliforni.
Winehouse e mbajti fustanin ngjyrë jeshile dhe të zezë në një koncert në Beograd në vitin 2011.
Një muaj më vonë, më 23 korrik, ajo vdiq nga helmimi akut me alkool, në moshën 27-vjeçare.
Vdekja e saj ishte kulmi i një lufte të gjatë -- dhe shpesh shumë publike -- me alkoolin dhe drogën.
Ky fustan ishte pika kryesore e një koleksioni prej 800 artikujsh të saj, duke filluar nga sutjenat dhe DVD-të e deri te librat dhe make-up që u shitën nga prindërit e Winehouse, Mitch dhe Janis.
I gjithë koleksioni mblodhi 4 milionë dollarë, dyfishi i parashikimit fillestar, sipas shtëpisë së ankandit Julien's, e cila menaxhoi shitjen.
Të ardhurat do të shkojnë për Fondacionin Amy Winehouse, i cili mbështet të rinjtë vulnerabël që luftojnë me varësitë e llojeve të ndryshme.



