Kryeministri Edi Rama mblodhi sot Komitetin Kombëtar të Rindërtimit, ku propozoi Ilir Hoxhollin nga organizatat solidare për njerëzit në nevojë si Sekretar të këtij Komiteti.
Në fillim të fjalës së tij, Kryeministri Rama theksoi se Sekretari i Komitetit do të angazhohet për garantimin e transparencës.
Rama siguroi se do të bëhet transparencë maksimale me të gjitha donacionet.
“Asnjë nuk do ta lëmë të kalojë vitin e ri 2021 në çadër, ky është objektivi i parë. Besoj se ne do të jemi gati, që me fillimin e pranverës, maksimalisht marsin, të bëjmë spostimin e familjeve që jetojnë në fshat nga çadrat në shtëpitë e reja. Spitalet, shkollat duhet të riparohen brenda disa muajsh. Lagjet e reja, ambicia është se brenda 5-6 mujorit të parë t’i kemi në kantier, kjo kërkon shumë kohë, sepse kërkohet ndërhyrja masive. Duhet filluar meremetimi për pallatet e banimit, por më një ekzigjencë për të rregulluar eurokodet, ky është meremetim që bëhet me shpenzimet e vetë kompanive. Për famijet e varfëra, apo shtresën e mesme, që ka humbur shtëpinë nga tërmeti ne u garantojmë kushte më të mira nga ato që kishin. Tërmeti ka goditur familjet e varfra dhe familjet me të ardhura modeste.
Rama ka kërkuar të vendoset edhe njëherë në ekran shifra e donacioneve, përpiluar e përgatitur nga ministri i ri, Arben Ahmetaj.
Duke parë e komentuar shifrat, Rama premtoi se shifra e donacioneve ndërkombëtare do të ndryshojë.
“Objektivi, brenda 2020-ës, të gjithë ata që jetojnë në fshat që nuk janë spostuar në sistemin e zonave urbane dhe thjesht kanë kërkuar një cadër në oborrin e tyre duhet të futen në shtëpitë e reja, askush nuk mund ta lejojë të kalojë vitin e ri 2021 me cadër. Ky është objektivi i parë dhe besoj ne do jemi gati që me fillimin e pranverës, marsit, të fillojmë të bëjmë spostimin e familjeve që jetojnë në fshat, në shtëpitë e reja. Së dyti spitalet, qendrat shëndetësore, shkollat, duhet të rindërtohen të gjitha brenda 9-mujorit të parë, shumë më të mira se ato që ishin.
Së treti, lagjet e reja ambicia është qe brenda 6 mujorit të parë ti kemi në kantier. Objektivi është që deri në fund të 2021-shit të jenë krijuar akomodimet e banorëve në apartamente.
Pika tjetër lidhet me donacionet. U përmend vetëm pjesa e donacioneve të vogla. Kjo e donatorëve ndërkombëtarë është një shifër që do lëvizë dhe unë shpresoj të lëvizë si rezultat i ndërveprimeve tona, mbetet për t’u parë vendimi i konferencës së donatorëve në kuadër të BE, dhe shtuar këtu donacionet e organizatave që besoj do publikohen në të njëjtën faqe por të ndara në mënyrë që dhe organizatat të kenë një raport transparence për shumën e donacioneve, kemi një bazë jo të vogël për të ecur me shpejtësi me fazën e rindërtimit”, tha Rama ndërsa u ndal edhe te punimet që duhet të bëjnë vetë kompanitë e ndërtimit.
“Pika tjetër e rëndësishme është rindërtimi i godianve nga vetë kompanitë ndërtuese për të respektuar edhe kodin në të gjitha projektet sipas eurokod, me shpenzimet e vetë kompanive.
Ndërkohë, përsa i përket procesit të vendimmarrjes përfundimtare për të ardhmen e cdo godine me shumë njësi banimi është organizuar fondi për studim të thelluar, me një grup ekspertësh që do firmosin me përgjegjësinë e tyre”, u shpreh kryeministri në mbledhje.



