
“Cambridge Analytica” mund të mos jetë e vetmja kompani që ka i ka vënë të dhënat e votuseve në funksion të një fushate zgjedhore, me synim shtimin e votës për një kandidat të caktuar. Një rast i ngjashëm i përdorimit të të dhënave ka ndodhur edhe në Europë. Dy prej partive më të mëdha politike në Gjermani kanë blerë të dhëna nga “Deutche Post”, gjiganti i postave gjermane, që më parë ka qenë në pronësi të shtetit. Këto të dhëna mendohet se kanë dhënë informacionin e nevojshëm për të targetuar pjesë specifike të elektoratit për fushatë politike. Lajmin e bën te ditur gjermania “Bild am Sontag”.
Kristiandemokratët e Merkelit (CDU) dhe Demokratët e Lirë (FPD) kanë nisur të përvetësojnë informacion nga “Deutche Post” në vitin 2005 dhe kanë shpenzuar dhjetëra mijëra euro për këto të dhëna përpara zgjedhjeve të vitit të kaluar.
Ndryshe nga të dhënat e marra nga rrjetet sociale, informacioni i “Deutche Post” është më i cekët. Ai përfshin gjininë, arsimin e familjeve, zakonet si konsumatorë dhe të dhëna sociodemografike, që megjithatë, mund t’u vinin në ndihmë partive politike për të skicuar prirjet politike potenciale të votuesve.
Vetë “Deutsche Post” ka thënë se i ka marrë këto të dhëna nga palë të treta, si autoriteti i transportit në vend.
CDU dhe FPD e kanë pranuar se kanë blerë të dhënat e votuesve, por shtojnë se e gjithë kjo është në përputhje me ligjet dhe rregullat strikte të Gjermanisë për mbrojtjen e të dhënave. Edhe “Deutche Post” thotë se nuk ka thyer asnjë ligj të privatësisë dhe nuk ka ndarë me partitë politike informacione si adresat e votuesve.
Ky zbulim vjen në një momet kur debati për përdorimin e të dhënave personale në funksion të fushatave politike është në kultin e tij në Europë dhe në SHBA.
Një nga temat më të diskutuara të javëve të fundit ka qenë lajmi për përdorimin e të dhënave të 50 milionë përdoruesve amerikanë të “Facebook”-ut, pa lejen e tyre, para fushatës së zgjedhjeve presidenciale të vitit 2016 në SHBA.
Rrjeti social e ka mohuar përfshirjen në këtë skandal, por taktikat e partive politike dhe përdorimi prej tyre i platformave dixhitale për të arritur te votuesit e lëkundur janë vënë në qendër të vëmendjes. / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



