Aksident me pasojë vdekjen e një të riu shqiptar është regjistruar në orët e para të mëngjesit të 2 janarit në Itali.
Mësohet se aksidenti ka ndodhur teksa 38-vjeçari shqiptar i identifikuar si Erion Bali po kthehej në shtëpi tek bashkëshortja dhe 3 fëmijët e tij, njëri prej të cilëve vetëm disa muajsh.
Ai humbi kontrollin mbi mjetin dhe makina përfundoi në barrierat anësore të rrugës duke u shkatërruar tërësisht.
Ekipet e emergjencës që mbërritën në vendngjarje mundën të bënin shumë pak për të shpëtuar shqiptarin.
U desh ndërhyrja e zjarrfikësve për të nxjerrë nga makina trupin e të ndjerit, për shkak se mjeti ishte shkatërruar tërësisht nga përplasja e fortë.
Erion Bali kishte hapur së fundmi një restorant në zonë dhe po kthehej prej andej pasi kishte bërë pastrimet e fundit. Ai jetonte prej më shumë se 20 vitesh në Cremone dhe ishte integruar më së miri në komunitet.
Një hipotezë e parë që qarkullon orët e fundit tregon se dremitja është bërë shkaku që çoi në vdekjen e 38-vjeçarit.



