
Duke filluar nga dita e sotme për të hyrë në Kosovë, çdo qytetar duhet të ketë certifikatën e vaksinimit anti- Covid me dy doza. Vendimi është miratuar nga qeveria e Kosovës më 1 dhjetor të vitit të kaluar në kuadër të masave anti- Covid, një pjesë e të cilave kanë hyrë në fuqi menjëherë, mirëpo, një pikë e këtij vendimi ishte lënë për datën 3 janar të vitit 2022.
Sipas këtij vendimi për të hyrë në Kosovë, secili person duhet të posedojë certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë me dy doza kundër Covid -19. Ndërkaq personat të cilët nuk i kanë dy dozat e vaksinës, do të kenë mundësi të vaksinohen në pikën kufitare aeroportin “Adem Jashari” dhe në pikat kufitare në Vermicë, Merdare, Dheu i Bardhë dhe Hani i Elezit.
Sipas masave anti- Covid që janë në fuqi, lëvizja e qytetarëve lejohet nga ora 05:00 e mëngjesit, deri në orën 00:00 të mesnatës. Lokalet lejohen të punojnë deri në orën 23:00 dhe muzika duhet të ndalet në orën 21:30. Çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë me dy doza kundër Covid -19 bashkë me testin RT-PCR negativ jo më i vjetër se 48 orë, ose certifikatën e vaksinimit për vaksinimin me një dozë bashkë me dëshminë se personi ka kaluar Covid -19 test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë.



