Pas dy rasteve të raportuara në Itali, nën hulumtimin e koordinuar nga Universiteti Shtetëror i Milanos, një rast tjetër në Teksas tregon se koronavirusi i ri mund të transmetohet gjatë shtatëznisë.
Të dhënat janë publikuar në Pediatric Infectious Disease Journal.
"Shumë bebe kanë lindur nga gratë që kanë rezultuar pozitive për virusin SarsCov2, shumica e tyre pa sëmundje respiratore", thotë Amanda Evans, autore e studimit.
Studimi është i pari që dokumenton transmetimin intrauterin të infeksionit gjatë shtatëzënisë, bazuar në gjurmët e virusit në qelizat e placentës.
Foshnja, e lindur nga një shtatzëni 34-javore, është vendosur në kujdes intensiv neonatal, për shkak të lindjes së parakohshme, por edhe për shkak të ekspozimit të mundshëm ndaj virusit SarsCoV2. Vajza e vogël fillimisht u duk e shëndetshme, por në ditën e dytë të jetës ajo filloi të ketë ethe dhe probleme të lehta të frymëmarrjes.
Bebja rezultoi pozitive për koronavirusin 24-48 orë pas lindjes. Ajo u asistua me sasi shtesë oksigjeni për disa ditë, por nuk pati nevojë për ventilim mekanik. Ajo mbeti pozitive për Covid-19 për 14 ditë. Në ditën e 21, nëna dhe vajza u kthyen në shtëpi në gjendje të mirë. Studiuesit ekzaminuan placentën, e cila tregoi shenja të inflamacionit. Teste më të hollësishme të kryera më vonë zbuluan praninë në placentë të grimcave të virusit dhe një prej proteinave themelore të virusit, atë të nukleokapsidit (N): të dy elementët konfirmojnë se infeksioni është transmetuar gjatë shtatzënisë dhe jo gjatë ose pas lindjes.



