Me miratimin e projektligjit këtë të enjte në parlament, në Shqipëri do të nisë përdorimi i kriptomonedhës, nëpërmjet teknologjisë blokçein. Një risi e tillë në tregun shqiptar shihet me skepticizëm nga ekspertët, të cilët thonë se përdorimi i kriptomonedhës shmang kontrollin nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare dhe Banka qendrore.
Në një intervistë për Tvt eksperti i ekonomisë Arbi Agalliu, thotë se përdorimi i një sistemi të tillë do të favorizojë pastrimin e parave.
“Unë do ta shikoja si një parajsë fiskale, pra do të ishte vendi ideal për të pastuar paratë, qoftë kompanitë vendase, qoftë nga kompanitë e huaja, duke shmangur pjesën e monitorimit, siç është Banka Qëndrore dhe Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare”.
Duke pasur parasysh rrethanat në të cilat ndodhet vendi ynë si edhe goditjet e njëpasnjëshme që ekonomia shqiptare ka pësuar vitin e fundit, sipas Agalliut është ende herët për aplikimin e një teknologjie të tillë.
“Unë personalisht nëse do më duhej të pozicionohem jam pro apo kundër patjetër që jam kundër në këtë moment. Jam shumë pro inovacionit, jam shumë pro teknologjisë, shumë pro zhvillimeve të tilla, por nëse cenohen autoritetet të cilat na sigurojnë qëndrueshmërinë dhe stabilitetin financiar, pra makroenonomik, patjetër që i shoh me skepticizëm”.
Pak kohë më parë kryeministgri Rama ka deklaruar se Shqipëria do të jetë vendi i parë që do të ketë një kuadër të rregulluar me ligj për kriptomonedhat. Por, Agalliu e e sheh si paradoksale aplikimin e kësaj teknologjie pikërisht në vendin tonë, ku një pjesë e mirë e bizneseve as që kanë një llogari bankare.
“Në Republikën e Shqipërisë, kalkulohen mbi 50 mijë apo reth 50 mijë biznese të cilat nuk përdorin sistemin bankar. Dhe mospërdorimi i sistemit bankar, është një lloj fatkeqsie në realitetin shqiptar, jo vetëm në biznese, të cilat patjetër do të duhej të kishin një numër llogarie bankare, për të kryer pagesat e tyre bazike, qoftë pagat, qoftë pagesën e furnitorëve, etj, por edhe individët. Kultura ekonomike në Shqipëri lë shumë për të dëshiruar sa i përket përdorimit të sistemit bankar. Shqiptarët nuk kanë një historik të marrëdhënieve pozitive me sistemin bankar apo me ndërmjetësit financiar, djegur kjo edhe nga viti 1997, ku sigurinë e ndjejnë tashmë vetëm te të paturit e parasë në formë fizike pranë vetes”.
Blokçeini është libri digjital i llogarive në të cilin ruhen të gjitha transaksionet e bëra me kriptomonedha.



