Profesori i Shkencave Politike Nexhmedin Spahiu tha në emisionin “Arnautistan” se beson që ka një komb të Kosovës.
“Jo të gjithë qytetarët e Shqipërisë përbëjnë kombin shqiptar. Jo çdo qytetar i Kosovës përbën kombin kosovar, vetëm ata që e duan me gjithë zemër. Patjetër që ka një komb kosovar, përderisa ekziston, përderisa është i njohur nga 117 kombe të botës, është produkt i një vullneti të një bashkie njerëzish, që e përbëjnë shqiptarët e Kosovës. S’janë të ndryshëm nga shqiptarët e tjerë, por përdallim nga ata në Preshevë, Maqedoni, shqiptarët në Kosovë përbëjnë kombin, që duhet të kenë një emër, por mund t’i quajmë edhe komb të shqiptarëve të Kosovës. Përderisa ekzistojnë dy shtete, ekzistojnë edhe dy kombe. Janë ata që janë për shtetin e Kosovës dhe ata që duan shtetin shqiptar”.
Spahiu theksoi se “kombi është bashkësia e njerëzve që e kanë përzemër një shtet” dhe që është ngatërruar shpesh me etninë “një bashkësi njerëzish që i lidh gjaku, gjuha, origjina”.
Ai u shpreh se feja islame është shtyllë e kombit shqiptar, duke vënë në dukje se baballarët e kombit ishin në shumicën e tyre hoxhallarë dhe priftërinj.
“Feja islame është shtyllë e kombit shqiptar. Kombi shqiptar është krijuar mbi 4 shtylla, një ndërmarrje me aksione 25 për qindshe, apo 50 për qind kristiane dhe 50 për qind islame. Baballarët e kombit shqiptar ishin në shumicën e tyre hoxhallarë dhe priftërinj. Kryetari i Lidhjes së Prizrenit Ymer Prizreni ishte kryemyftiu për gjithë Rumelinë, gjithë Ballkanin. Përpjekja e parë për ngjizjen e kombit shqiptar është Lidhja e Prizrenit, sigurisht”.



