Ka punë, por s’ka profesionistë! Ky konstatim i bërë vite më parë nga kryeministri Rama duket se vazhdon ta shoqërojë ekonominë e vendit, ku shumë sektorë po vuajnë mungesën e fuqisë punëtore.

Efektet e kësaj krize po i ndjen më së shumti sektori i ndërtimit, ku nevojat për krah pune janë të mëdha. Ardhja e punëtorëve të huaj nga vende si India, Pakistani apo Filipinet, duket se nuk po i vjen në ndihmë veçanërisht këtij sektori.
Ndërtuesit kanë mbetur të zhgënjyer me kontingjentin e punëtorëve që kanë ardhur nga jashtë, pasi pjesa më e madhe e tyre janë të pakualifikuar, nuk përballojnë orët dhe ngarkesën e punës, dhe aq më tepër që në radhët e tyre është e vështirë të gjesh specialistë, si inxhinierë projektimi apo zbatimi.



