Familja e Presidentit të SHBA Joe Biden, e mbledhur në Camp David, i kërkon atij që të qëndrojë në garën e presidencialeve dhe të vazhdojë të luftojë pavarësisht debatit televiziv me Donald Trump, edhe pse disa anëtarë të klanit të tij kanë shprehur privatisht zemërim se si doli në përballjen televizive.
Kështu shkruan New York Times, duke cituar burime të afërta me familjen Biden.
Një nga zërat më të zhurmshëm që i lutej presidentit amerikan që t’i rezistonte presionit për t’u dorëzuar ishte djali i tij Hunter, të cilit Joe Biden i është drejtuar prej kohësh për këshilla.

Hunter, raportojnë burimet e NYT, dëshiron që amerikanët të shohin versionin e babait të tij që ai njeh, luftarak dhe në kontroll të fakteve, në vend të presidentit të paqëndrueshëm dhe të moshuar që amerikanët panë të enjten në mbrëmje.
Joe Biden ka kërkuar ide edhe nga këshilltarët se si të procedohet, dhe stafi i tij ka debatuar nëse ai duhet të mbajë një konferencë shtypi apo të mbajë intervista për të mbrojtur veten dhe për të ndryshuar narrativën, por asgjë nuk është vendosur ende deri më tani.
Anëtarët e tjerë të familjes po përpiqen të kuptojnë se si mund të ndihmojnë. Të paktën një nga nipërit e presidentit ka shprehur interes për t’u përfshirë më shumë në fushatë, duke folur me influencuesit e rrjeteve sociale.



