Drejtori i Stabilitetit Financiar pranë Bankës së Shqipërisë, Klodian Shehu në një intervistë për ‘MCN Economy’ u shpreh se situata ka qenë sfiduese jo vetëm për Shqipërinë por për të gjithë vendet.
Ai tha se sektori bankar në përgjithësi ka qenë i shëndetshëm dhe se fitimi në vitin 2023 ka qenë rekord, ndërsa theksoi se situata e kapitalizmit të sistemit bankar mbetet e kënaqshme.
Shehu u shpreh se Shqipëria mbajti norma më të ulta të interesin për kredi se në Ballkan, teksa bëri të ditur se BSH gjithnjë favorizon kreditë në lekë se sa në euro dhe sipas tij dhe kërkesa për kredi në monedhën kombëtare ishte më e fortë se ajo në valutë.
Në përgjithësi zhvillimet kanë qenë sfiduese kudo në botë dhe ato që ndodhin në ekonomitë botërore ndikojnë dhe në ekonominë e vendit. Ekonomia shqiptare është përballur me disa sfida si tërmeti, pandemia dhe një sërë problemesh që kanë ndodhur në tregun ndërkombëtar në vitin 2023.
Duhet thënë se sistemi bankar e ka përballuar këtë situatë mjaft mirë kjo jo vetëm falë ndihmës që i është dhënë nga autoriteti publik, duke përfshirë qeverinë, por dhe Bankës së Shqipërisë, por edhe nga vetë gjendja e sektorit bankar ndaj sistemit financiar e cila në përgjithësi ka qenë e mirë dhe e qëndrueshme.
Nëse më lejoni unë mund të përmend disa zhvillime pozitive të cilat kanë ndodhur në vitin 2023 dhe fillim viti 2024, konkretisht kemi pasur zgjerimin e aktivitetit të sektorit bankar e cila ka qenë gjithëpërfshirëse, është parë si në rritjen e kreditimit, si në rritjen e investimeve të sektorit bankar.
Nga ana tjetër në bilanc janë rritur depozitat si në lekë ashtu edhe në valutë. Sektori bankar vazhdon të ketë pothuajse gjysmën e veprimtarisë së tij në valutë që do të thotë se kjo e bënë disi të ndjeshëm ndaj lëvizjeve në kursin e këmbimit duke pasur parasysh dhe ndryshimet që kanë ndodhur këto vitet e fundit në të, kjo në njëfarë mënyre e ul disi vlerën në valutë dhe bënë që rritja të jetë disi më e vogël. Nëse kursi do ishte në nivelet që ka qenë më parë dhe rritja do ishte në nivele më të larta.
Lidhur me shëndetin financiar të sistemit bankar, Shehu tha se kemi pasur disa tregues të mirë të performancës bankare, ka qenë me fitim në 2023, por duhet thënë se 2023 ka qenë një vit i jashtëzakonshëm që nuk ka ndodhur vetëm në Shqipëri por dhe në vende të tjera.
Kjo lidhet me faktin e normave të interesit që ndodhi për shkak të luftës në Ukrainë, për shkak të rritjes së kësaj norme të interesit u transmetua më shpejtë në kredi sesa në depozita dhe si rezultat ato që ne i quajmë të ardhura neto nga interesi për sektorin bankar u përmirësuan ndjeshëm.
Ritmi i rritjes ka qenë i mirë dhe në pjesën e parë të këtij viti edhe pse disi më i ulët se në vitin 2023. Marzhet janë disi më të ngushta se në 2023 dhe për këtë arsye fitimi është më i mirë. Nga ana tjetër vetë treguesit e kapitalizmit mbeten shumë të mirë, në qershor u rrit me 0.3%, është tregues i mirë dhe përveçse bankat plotësojnë kërkesat që kërkon kuadri rregullator i BSH, ka dhe një tepricë që e përdor për kredidhënie.
Sa i përket tkurrjes së kreditimit në euro ai theksoi se në këto dy vitet e fundit ritmet e kredive në lekë kanë qenë më të mira kjo dhe për kursin e këmbimit por dhe faktin se normat e interesit në Shqipëri kanë qenë më të ulëta se në BE dhe kjo reflektuar në kreditë në lekë.
Kërkesa në kredi për lekë ka qenë më e fortë. Mendoj se përgjithësisht huamarrësit kanë parë kursin e këmbimit më të favorshëm për ta dhe kanë bërë shlyerjen në lekë duke e konvertuar. Ne jemi gjithmonë për monedhën kombëtare, kështu që ne këtë kemi parim, por është vendimmarrje që i takon individit dhe bankës.
Ne dhe në raportin e stabilitetit financiar kemi kërkuar që ato të mbajnë në nivele sa më të mira analizën që do i bëhet kredimarrësit pavarësisht se kushtet të zhvillimeve ekonomike janë pozitive dhe të mos tolerojnë në mënyrën se si japin kredi. Nivelet e kredive me probleme mbeten në norma të kontrolluara.
Jemi pranë niveleve të rajonit, ku raporti i kredive me probleme ishte rreth 25%, por tani është bërë një progres i mirë. Në terma të përgjithshëm ekonomia shqiptare ka nevojë të financohet më shumë, por sigurisht që ne shohim shumë dhe ritmet e rritjes së kredisë për tu ruajtur standardin e dhënies së kredisë. Mendoj se kreditimi do vijojë të jetë në ritme të qëndrueshme.



