
Parlamenti i Malit të Zi ka votuar sot pas disa javëve negociatash qeverinë e re. Kabineti përbëhet nga koalicion me parti pro-europiane dhe pro-serbe. Ekonomisti Milojko Spajiç i lëvizjes “Europa Tani” do të udhëheqë qeverinë e re, me 18 ministra dhe 5 zv.kryeministra.
Vlen për t’u theksuar se shqiptarët do të kenë një post zv.kyeministri si dhe tri ministri.
Nga partitë shqiptare, Nik Gjeloshaj është zgjedhur zëvendëskryeministër për politika ekonomike dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik, Fatmir Gjeka ministër për të Drejtat e Njeriut dhe Minoriteteve dhe Marash Dukaj ministër i Administratës Publike.
Parlamenti malazes mbajti një seancë maratonë dje në mbrëmje, ku votimi u krye në orët e para të mëngjesit. Qeveria e re mori dritën e gjelbër me 46 vota pro, ndërsa 19 kundërshtuan dhe një abstenoi. Kreu i qeverisë tha se “synim ka që Malin e Zi ta bëjë Zvicër të Ballkanit e Singapor të Evropës”. Spajiç në fjalimin e tij ka thënë se prioritetet e politikës së jashtme janë anëtarësimi i plotë në Bashkimin Evropian, anëtarësim më kredibil në NATO dhe përmirësimi i raporteve fqinjësore.



