
Gazetarja Ola Xama, e ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit” në MCN, ngriti shqetësimin për fatin e mbetjeve të rrezikshme që prodhon kompania turke Kurum, e cila prej viteve ’90 ka privatizuar ish-Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit. Sipas saj, askush nuk ka dhënë ende një përgjigje të qartë se çfarë ndodh me hirin që del nga furrat e ferrokromit... ku përpunohet, ku depozitohet apo sa është sasia e tij reale.
Aktivistë mjedisorë kanë akuzuar se një pjesë e këtyre mbetjeve është shpërndarë në qytete të ndryshme të Shqipërisë, ndërsa të tjera janë eksportuar drejt vendeve të varfra si Tajlanda, duke u deklaruar si mbetje të padëmshme.
Xama theksoi se ky problem nuk lidhet vetëm me mjedisin, por edhe me rrezikun që Shqipëria mund të bëhet pjesë e një trafiku ndërkombëtar të mbetjeve të rrezikshme, një nga krimet më të rënda sipas ligjeve ndërkombëtare.
Ajo solli në vëmendje rastin e 102 kontenierëve me mbetje të ngarkuara në portin e Durrësit, pranë mijëra banorëve, duke e konsideruar situatën një kërcënim serioz për shëndetin publik dhe imazhin e vendit.
“Kurum është një kompani turke, e cila ka privatizuar ish-kombinatin metalurgjik të Elbasanit.
Kombinati metalurgjik është ndërtuar që në vitet 1970, në mos gaboj, për përpunimin e metaleve të rënda. Është zgjeruar me shumë nënstacione, ndërkohë që më efikasi mbeti pjesa e stacionit të Ferokromit, që prodhon çelikun, rreth viteve 96-97 privatizohet nga kompania Kurum.
Kemi të bëjmë në kohën e qeverisjes Nano, e cila ka miratuar kontratën për kompaninë turke Kurum.
Që atëherë ka pasur probleme shumë të mëdha me ndotjen mjedisore në Elbasan. Ka pasur shumë protesta nga ana e banorëve, por edhe shoqatave mjedisore që kanë qenë të ndjeshme për atë zonë.
Disa herë këto lloj protestash kanë rezultuar efikase, sepse me të vërtetë ka qenë shqetësim shumë i madh, edhe për shkak të përqindjes së lartë të sëmundjeve që kishte qyteti i Elbasanit për shkak të ndotjes. U bënë disa investime në vendosjen e impianteve të përpunimit, të furrave që prisnin hirin, filtrave që kapnin hirin që lëshonin furrat e ferrokromit.
Tashmë ky hi që del nga furrat e ferrokromit nuk mund të qëndrojë aty, por duhet që të merret, të përpunohet, të ambalazhohet dhe të trajtohet sipas standardeve të duhura, që të mos dëmtojë askënd.
Çështja është që kostoja për të bërë këtë proces është shumë e lartë. Atëherë, çfarë bëhet? Dhe çfarë ka ndodhur? Një përgjigje nuk e kemi. Këtë përgjigje duhet të na e thotë vetë kompania Kurum, edhe në bazë të politikave dhe përgjegjësive korporative, por edhe institucionet që paguhen me taksat e shqiptarëve, të cilat monitorojnë kompani të tilla që janë ndër ndotësit më të mëdhenj. Ato duhet të na japin një përgjigje: ku shkojnë këto mbetje, ku trajtohen, sa është sasia e tyre?
Çfarë prodhon Kurum? Si ndahen këto mbetje? Sa janë të rrezikshme? Sa është përqindja? Pra, duhet të ekzistojë një raport. Dhe ne këtë raport nuk e kemi, edhe pse e kemi kërkuar shpesh, madje edhe me të drejtë informimi.
Thuhet të paktën nga ajo që kemi dëgjuar nga aktivistët mjedisorë se më përpara Kurumi i merrte këto mbetje të hireve dhe i shpërndante nëpër Shqipëri. Nuk e dimë a është e vërtetë apo jo, a është aludim, por një pjesë i merrte dhe i eksportonte.
Tani, ku? Cilat janë vendet? Ato janë vende të varfra, siç është Tajlanda dhe vende të ngjashme, ku shkojnë kompani të rëndësishme duke i deklaruar sikur janë mbetje jo të rrezikshme dhe i hedhin atje.
Çështja është që ajo që na dëmton, përveç përgjegjësisë që kemi, është fakti që Shqipëria nuk mundet të dëmtojë imazhin e saj duke u përfshirë në trafik mbetjesh të rrezikshme, sepse kjo klasifikohet si një nga krimet më të rënda sa i takon ligjeve ndërkombëtare.
Pjesa kryesore që dëmton dhe për të cilën duan përgjigje qytetarët shqiptarë është dëmi që është shkaktuar si në procesin e transportit nga fabrika e hekurit deri në Durrës, ashtu edhe në procesin e ngarkimit të kontenierëve me mbetjet e rrezikshme. Bëhet fjalë për 102 kontenierë.
Përveç kësaj, ato janë ngarkuar në qiell të hapur, në portin e Durrësit, që është afër qytetit ku jetojnë mijëra qytetarë. Po jemi okej, kjo pra është një “kompani e specializuar”.”



