Na ishte njëherë Lunxhëria (VIDEO)

Na ishte njëherë Lunxhëria (VIDEO)

Lunxhëria është një nga krahinat me më shumë traditë, histori dhe kulturë në vendin tonë.

E shtrirë në zonën e Gjirokastrës, krahina e Lunxhërisë shtrihet gjatë rrëzës perëndimore të malit me të njëjtin emër, nga fshati Hormovë, në veriperëndim e deri te gryka e Suhës në jug, nga kreshta e malit të Lunxhërisë në lindje e deri tek lugina e Drinos në perëndim.

Kjo zonë ka reliev malor-kodrinor, me shumë burime ujërash karstikë dhe bukuri natyrore. Dhoksat, Erind, Gjat, Kakoz, Këllez, Mingul, Nokovë, Qestorat, Valare etj. janë vetëm disa nga fshatrat e kësaj krahine. 

Ne udhëtuam në disa nga fshatrat e zonës, ku vazhdojnë të ruhen një pjesë e traditave të së shkuarës, dëshmi e një lavdie të dikurshme.

Koço Vasili, banor i fshatit Dhoksat, na shoqëron gjatë udhëtimit tonë në fshatin, që vite më parë ka qenë qendër shumë e rëndësishme e krahinës.

Dhoksati është përzgjidhur në listën e 100 fshatrave të Shqipërisë për turizëm rural dhe konsiderohet si fshat “i lavdëruar nga Zoti”, i çmuar për bukuritë, pjellorinë e tokës, frutikulturën, vreshtat, pyjet e kullotat dhe burimet e kristalta.

Një nga fshatrat më piktoreskë të krahinës, ai ka në listën e monumenteve edhe disa kulla dhe banesa.

Shtëpia që shihni njihet si shtëpia e Kokolajve e ndërtuar në vitin 1901 dhe ndodhet në lagjen e sipërme të Dhoksatit.

E punuar me mjeshtëri të rrallë nga mjeshtrit koniciotë. Në brendësi të kësaj shtëpie u mendua të xhirohej edhe filmi “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”.

Këto shtëpi, mënyra e ndërtimit të tyre dhe mjeshtrit që i kanë ndërtuar ato tregojnë në fakt për historikun e vetë fshatit dhe krejt zonës së Lunxhërisë, pasi janë dëshmi jo vetëm e traditave të zonës, por edhe e lëvizjeve demografike të ndodhura ndër vite. Përgjithësisht, shtëpitë ndërtoheshin nga mjeshtrit kolonjarë apo koniciotë, ndërsa lunxhiotët përgjithësisht nuk jetonin në Lunxhëri por iknin në kurbet jashtë vendit.

Ndërtimi i këtyre shtëpive të mëdha prej guri, siç bën me dije Vasili ka filluar në mesin e shekullit 18, pasi më parë shtëpitë ishin të ulëta dhe të ndërtuara në një mënyrë krejt tjetër. Ndërsa shtëpitë kryesore janë ndërtuar gjatë gjysmës së dytë të shekullit XIX.

E vendosur përballë Gjirokastrës, Lunxhëria është një prej krahinave më të pasura në burime, bukuri natyrore, monumente kulture, kisha, manastire dhe sidomos banesa origjinale e madhështore të ndërtuara me gur të zi.

SHTËPIA KARAKTERISTIKE LUNXHIOTE

Përvoja e mërgimit dhe ustallarët bënë që në Luxhëri të ndërtoheshin shtëpi të mëdha funksionale, madhësia e të cilave ishte në raport të drejtë me fuqinë ekonomike të të zotit. Shtëpia karakter lunxhiote ishte tepër funksionale. Duhej të kishe divanin e madh, një kuzhinë me oxhak, furrën brenda, odën e miqve, etj.  

Me kalimin e kohës në këto shtëpi u bënë edhe ndërhyrje të gabuara dhe tek shumë prej tyre nuk u ruajt tradita e së kaluarës, ndërkohë që edhe lëvizjet demografike bënë punën e tyre.

NDRYSHIMET DEMOGRAFIKE DHE ZHVILLIMI

Largimi i lunxhiotëve në mërgim është shoqëruar nga ana tjetër me ardhjen e njerëzve të rinj në zonën e Lunxhërisë nga krahina të tjera të vendit. Këto lëvizje demografike kanë formësuar në njëfarë mënyre edhe vetë krahinën lunxhiote, por dhe atë çfarë përfaqëson sot e shkuara dhe tradita e saj.

 Kështu mendohet që në Lunxhëri të kenë ardhur edhe suljotët.

Sipas gojëdhënave të plakave të Dhoksatit suljotët kanë bërë punë shumë të vështira dhe Ali Pasha i kishte marrë me dhunë.

MJESHTRA TË KROJEVE

Vasili vëren se Lunxhëria si krahinë ka qenë e përkëdhelura e sulltanit dhe nuk ka pasur taksa të rënda ndërsa lunxhiotët kanë qenë mjeshtra të ujësjellësave, një traditë kjo nga Bizanti.

Siç dhe vëren Vasili, në Dhoksat por edhe në fshatra të tjerë përreth ka pasur një traditë shekullore në ndërtimin e urave dhe krojeve.

Ky që shihni është kroi më i vjetër i fshatit, i restauruar vetëm pak kohë më parë.

Çezma dikur ka qenë e mbuluar dhe çatia e saj ra rreth vitit 1936 për t’u rregulluar më pas vite më vonë.

KOSTUMI LUNXHIOT

Një nga vlerat më të rralla të etnografisë shqiptare, që ka arritur të mbërrijë deri në ditët tona është pa dyshim kostumi i vajzave dhe nuseve të Lunxhërisë. Vendasit e quajnë këtë veshje të rrallë “lunxhe”.  Mendohet se edhe Antigona, gruaja e parë e Mbretit të Epirit, Pirros, kur është martuar ka veshur një kostum të tillë.  

KOSTUMI I NUSES

Kostumi lunxhiot bëhej nga coha e leshtë, një lloj cohe e cila prodhohej edhe në fshatrat e krahinës, ndërkohë që coha e mirë vinte nga Stambolli.

Ky kostum është shumë i vjetër dhe në gërmimet e bëra në Antigone dhe në zonën e Gjirokastrës janë gjetur bocete femrash me elemente të kostumit lunxhiot ndërsa Bajroni, sipas Vasilit, është ai që ka folur i pari për kostumin lunxhiot, duke e cilësuar atë si kostumin më të bukur në botë.

Por veshja e këtij kostumi nuk ishte diçka e lehtë ndaj kjo ishte një punë më vete me të cilën merreshin gra, që quheshin bulla.

Sot, këto kostume ruhen në shtëpi të lunxhiotëve në Lunxhëri, në Gjirokastër, në Tiranë apo jashtë vendit, por problemi është se këto veshje sipas Vasilit janë “të vdekur”, ndërsa riprodhimi origjinal i tyre është shumë i vështirë.

DASMA LUNXHIOTE

Dasma lunxhiote ishte një spektakël i madh teatral që luhej në skenën e familjes lunxhiote.  Dasma zhvillohej brenda shtëpisë së nuses dhe djalit, në oborr,në lëmë dhe në kishë dhe brenda saj përfshihen të gjithë llojet e artit: lirik, epik, komedi, tragjedi etj.

Dasma në Lunxhëri vazhdonte përtej ditëve të ceremonisë martesore, të paktën një vit dhe kjo sipas Vasilit tregon për madhështinë e dasmës lunxhiote.

Këngët këndoheshin në momente tepër të caktuara dhe burrat qëndronin veçmas nga gratë, ndërsa bashkimi i tyre bëhej vetëm të hënën në mëngjes.

Është për t’u vërejtur se lidhjet martesore dhe krushqitë dikur nuk bëheshin jashtë krahinës, gjë që bënte që traditat të ruheshin me fanatizëm, diçka që ndryshoi me kalimin e kohës.

ROLI DHE POZICIONI I GRUAS

Gruaja në familjen lunxhiote konsiderohej si shtylla e shtëpisë dhe ishte pikërisht ajo që merrej me financat, pritjen e njerëzve e kështu me rradhë. Jo më kot edhe pionierja e mbrotjes së të drejtave të grave në Shqipëri, Urani Rumbo ishte bijë e kësaj zone.  Por si shpjegohet ky vlerësim dhe nderim për figurën e gruas?

Lidhja martesore konsiderohej diçka e shenjtë dhe figura e gruas respektohej, duke u konsideruar zonjë shtëpie.

GATIMET TRADICIONALE

Glikoja lunxhiote është mbase më e famshmja në listën e gjatë të gatimeve tradicionale të zonës. Nuk ka shtëpi lunxhiote ku mysafirët të mos qerasen me gliko.

Kulinaria lunxhiote është shumë e pasur. Në kulinarinë lunxhiote në të kaluarën përdoreshin 12 deri në 14 lloje erëzash, ndërsa i jepej shumë rëndësi edhe detajeve apo mënyrës së servirjes së ushqimit.

Por cilat janë disa nga gatime tradicionale të Lunxhërisë dhe a vazhdon të ruhet tradita në ditët e sotme?

E vërteta është se gatimet lunxhiote kanë vjedhur zemrat e turistëve ndër vite. Në mesin e të pasionuarve pas ushqimeve ka qenë edhe shkrimtari Xhorxh Gordon Bajroni. Sipas gojëdhënave, kur Bajroni kaloi nëpër Lunxhëri dhe qëndroi në Labovë të Kryqit, Qestorat e gjetkë, në mes të ushqimeve të tjera, patjetër që i bënë edhe byrekun lunxhiot, me lakra, me cerepulicë dhe erëza. Aq i shijoi byreku sa ai ka shkruar në kujtimet e tij, se e pyeti të zonjën e shtëpisë me se e kishte bërë byrekun kaq të shijshëm dhe i mbajti shënim gjithë përbërëse të tij. Kur mbërriti në Londër, i thotë së ëmës t’i gatuante një të tillë me ç’kishte shkruar në listë,  Kur Bajroni provoi ta hante atë, u tha: “Faleminderit, por s’është si ai byreku që hëngra në Lunxhëri…”.

NË PRITJE TË ZHVILLIMIT TË TURIZMIT

Parku Arkeologjik Kombëtar i Antigonesë është ndalesa kryesore e pothuajse çdo turisti që viziton Gjirokastrën, ndërsa fshatrat e Lunxhërisë synojnë të zhvillojnë turizmin malor, duke iu ofruar vizitorëve pasuritë natyrore të zonës.

Gatimet vendëse ku kryesojnë bulmeti, mjalti i luleve dhe gatimet me saç, i joshin akoma turistët e huaj, por në zonë mungojnë shërbimet akomoduese dhe politikat që mund të nxisin turizmin. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Dhoksatin, edhe pse fshati është pjesë e listës së 100 fshatrave të përzgjedhur për zhvillimin e turizmit rural.

Banorët e zonës së Lunxhërisë njihen për traditën e pasur folklorike, panairet tregtare, kulinarinë dhe mikpritjen. Potenciali i kësaj zone për zhvillim turistik është i madh, por emigracioni i tejzgjatur ka bërë që zona pothuajse të braktiset dhe resurset turistike të mos shfrytëzohen.  Shkëlqimi i Lunxhërisë ngjan se i përket të shkuarës, prej së cilës së shumti ka mbetur nostalgjia, keqardhja dhe shpresa për të ardhme më të mirë.

Përgatiti: Blerina Goce

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy