
Paditë e bëra nga efektivët e policisë për të marrë një gradë më të lartë se ajo që mbajnë, nuk do të shqyrtohen më nga ana e Gjykatës përkatëse, që është ajoo Administrativja. Në një vendim unifikues të dhënë nga Gjykata e Lartë, thuhet se për të marrë gradën nga nënkomisar deri në nivelin “Drejtues i Parë”, punonjësit e policisë do t’i nënshtrohen konkurimit.
“Plotësimi i kritereve formale për fitimin e gradës, si vjetërsia në gradën pararendëse dhe/ose ushtrimi efektiv i funksionit në përputhje me gradën e pretenduar, nuk mund të sjellin fitimin gjyqësisht të gradës policore, pa iu nënshtruar më parë punonjësit e Policisë së Shtetit një procesi vlerësimi konkurrues nga komisioni i gradimit”, thuhet në vendimin e gjykatës.
Ky vendim vjen pas një kërkese që oficeri Leonard Ndreka ka bërë në Gjykatën Administrative të Gjirokastrës për të marrë gradën “Kryekomisar”. Ky institucion detyroi me vendimin e saj Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit që t’i jepte Ndrekës gradën e kërkuar. Por vendimi u ankimua në Gjykatën e Lartë nga Policia. Drejtoria e Përgjithshme e Policisë argumentonte në kërkesën e saj se vendimi i Administratives së Gjirokastrës nuk ka qenë në përputhje me ligjin.



