Kreu i grupit parlamentar të PD-së Gazment Bardhi ka zbuluar pjesë nga dosja e AKSHI-t, ku rezulton që kompania e Ergys Agasit ka lëshuar fatura fiktive prej 29 milionë eurosh për 9 muaj.
Në një raportim për Mcn Live gazetari Arsen Rusta bën me dije:
"Ndalur në ato që ka publikuar Bardhi, janë pjesë e dosjes. Është gjithçka që ka hetuar BKH dhe Hetimi financiar duke zbuluar fatura fiktive me vlerën 29 milionë euro për disa tendera, për një periudhë 9 mujore, ku nëpërmjet shantazhit, intimidimit, dhunës, kërcënimeve, deri në heqjen e paligjshme të lirisë, Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri ndikonin te AKSHI si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal, ku kishin rekrutuar në këtë grup edhe drejtuesen Mirlinda Karçanaj, dhe duke parapërcaktuar fituesit edhe pse s’kishin infrastrukturë për të kryer këtë punë".
Ndërkaq, sa i takon zhdukjesh së afro 600 shisheve verë nga Eno Agasi, i shpallur në kërkim, gazetari raporton:
“Ishin 600 shishe verë pa pullë fiskale dhe kjo ka bërë që BKH t’i inventarizojë. Por në momentin që ka shkuar Hetimi Doganor për të kryer praktikën e administrimit të kësaj prove ajo është zhdukur dhe për këtë është i dyshuar i afërmi i Ergys Agasit, Eno Agasi, i shpallur në kërkim nga Prokuroria e Tiranës, me masë sigurie arrest me burg në mungesë. Hetimi vijon për fshirjen e pamjeve dhe heqjen e verave. BKH dhe SPAK i ka dokumentuara, filmuara dhe inventarizuara 600 shishe me vlera të konsiderueshme monetare, ndërkohë që vijon hetimi pasuror. BKH konfirmon se gjithçka i është kaluar doganës me urdhër të prokurorit, dhe mbetet për t’u parë nëse ka pasur policë gjatë spostimit të sendeve me vlerë materiale”.



