Dy raketa balistike u lëshuan nga Koreja e Veriut disa minuta pas orës 05.00 të mëngjesit të së hënës, njoftoi Shtabi i Përgjithshëm i Mbrojtjes Kombëtare të Koresë së Jugut.
Raketa e parë balistike me rreze të shkurtër u lëshua rreth orës 05:05 (22:05 me orën tonë) nga zona Changgyon në drejtim verilindor dhe udhëtoi një distancë prej rreth 600 kilometrash, ndërsa e dyta u lëshua 10 minuta më vonë nga e njëjta zonë dhe udhëtoi një distancë prej rreth 120 kilometrash, sipas të njëjtit burim.
“Ne e dënojmë fuqishëm lëshimin e raketës nga Koreja e Veriut si një provokim që kërcënon seriozisht paqen dhe stabilitetin e Gadishullit Korean”, thuhet në një deklaratë nga Shtabi i Përgjithshëm i Mbrojtjes Kombëtare në Seul, duke vënë në dukje se kishte ndarë informacionin përkatës me autoritetet amerikane dhe japoneze.

Të dielën, Koreja e Veriut denoncoi stërvitjet e fundit të përbashkëta ushtarake të mbajtura nga forcat koreano-jugore, japoneze dhe amerikane, duke paralajmëruar në një “shfaqje të re të fuqisë parandaluese”.
Javën e kaluar, Pheniani pretendoi se kishte kryer një test të suksesshëm të MIRV (Multiple Independently Targetable Reentry Vehicle Technology), i cili i referohet zhvillimit të raketave që mbajnë koka të shumta luftarake.



