Një ngjarje tronditëse ka ndodhur në plazhin e Velipojës, ku katër persona kanë mbetur të vrarë me armë zjarri dhe dy të tjerë janë plagosur si pasojë e një sherri për shellona. Personat e përfshirë në këtë përplasje të armatosur janë pronarë hotelesh në zonën e plazhit dhe punonjës shezllonash. Hotelet e tyre janë vetëm 50 metra nga njëri-tjetri.
Viktimat janë Kujtim Ferracaku, dhe 2 anëtare të familje Gocaj, Xhovani Gocaj, Edmond Gocaj.

(Viktima Xhovan Gocaj)
I vdekur ka mbetur edhe Myzerim Zeneli, punonjës i shezloneve, vetëm 20 vjeç. I plagosur në këtë ngjarje ka mbetur vëllai i Kujtim Ferracakut si dhe Elmilind Dyli. Kujtim Ferracaku është babai i Arjan Ferracakut, i vrarë në atentat të ndodhur ne vitin 2018. Palët dyshohet se u konfliktuan mesditën e djeshme për shezlongët. Kujtim Ferracaku është pronar i “Hotel Fantazia”, ndërsa ngjarja ka ndodhur 50 metra larg biznesit të tij.
Nē vendngjarje kanë shkuar zyrtarë të lartë të Policisë së Shtetit, si dhe forcat special për të mbajtur nën kontroll situatën.

(Viktima Kujtim Ferracaku)
Njoftimi i policisë:
Më datë 27.06.2021, rreth orës 00:30, në Pulaj Plazh, Velipojë, si pasojë e një konflikti të çastit, i cili është përshkallëzuar në përdorim të armës së zjarrit kanë mbetur të vrarë, shtetasit K. V. 59 vjeç, Xh. G. 25 vjeç , E. G. 38 vjeç dhe M. Z. 20 vjeç.
Si dhe janë plagosur shtetasit H. V. 54 vjeç, dhe E. D. 17 vjeç, të cilët dyshohen si autorë të përfshirê në konfliktin e armatosur. Për hetimin dhe zbardhjen e ngjarjes menjëherë është ngritur një grup posaçëm hetimor me specialistë të strukturave hetimore në DVP Shkodër dhe të Drejtorisë për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Jetës në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër.
Në ndihmë të Policisë vendore ka shkuar FNSH Shkodër dhe një grup i Forcave Speciale Renea. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e dokumentimin e plotë të rrethanave dhe shkakut të kësaj ngjarjeje.
Masakra në Velipojë, Niko Brahimaj pas ngjarjes: Shumë shpejt do të kemi të arrestuar!
Pas masakrës së ndodhur në bregdetin e Velipojës ku mbetën të vrarë katër persona dhe u plagsën dy të tjerë, drejtori i Policisë së Shkodrës, Niko Brahimaj ka mbërritur menjëherë në vendngjarje. Nga aty, ai ka dhënë një deklaratë për mediat ku shprehet se vrasja ka ardhur pas një konflikti për hapësirat në plazh, teksa konfirmoi se është qëlluar me më shumë se një armë.
“Rreth orës 00:30 këtu në Velipojë ka ndodhur një ngjarje tepër e rëndë kriminale. Ngjarja ka ndodhur në ambientet e jashtme të hotel Gocaj,ku për shkak të një konflikti me armë të çastit dhe për motive të dobëta, për shkak të ndarjes së pronësisë mbi sipërfaqet me rërë që shfrytëzohen për vendosjen e shzloneve dhe çadrave, si rezultat i këtij konflikti kanë gjetur vdekjen 4 persona dhe janë plagosur 2 persona. policia menjëherë ka marrë masat, ka ardhur në vendngjarje me grup eskpertësh, në vend kanë ardhur dhe drejtuesit më të lartë të Policisë së Shtetit dhe specialistët më të mirë.
Në ngjarje janë përfshirë më shumë se sa një armë, nga personat e konfliktuar. Një armë pistoletë e kemi sekuestruar si provë materiale. Janë sekuestruar një numër pamjesh nga kamerat e sigurisë.
Shumë shpejt do ketë persona të shpallur në kërkim dhe të arrestuar”, deklaroi Brahimaj.



