
Kina dhe SHBA-të kanë rënë dakord t’i japin fund luftës tregtare të muajve të fundit, pas bisedimeve të nivelit të lartë në Argjentinë, mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe atij kinez, Xi Jingping. Kjo përfshin edhe mosrritjen e tarifave në 1 janar, siç ishte paralajmëruar. Trump do të lërë në fuqi tarifat në vlerë 200 miliardë dollarë në 10 për qind në fillim të vitit të ri, duke rënë kështu dakord të mos i ngrejë ato në 25 për qind, thuhet në një deklaratë të Shtëpisë së Bardhë.
Ndërsa Kina ka pranuar të blejë produkte bujqësore, energji, mallra industriale dhe produkte të tjera nga Shtetet e Bashkuara për të reduktuar disbalancën e tregtisë mes dy vendeve.
Trump dhe Jingping kanë rënë dakord gjithashtu që të fillojnë bisedimet mbi ndryshime strukturore në lidhje me çështje si transferimet e detyruara teknologjike, mbrojtjen e pronësisë intelektuale, barrierat jotarifore, ndërhyrjet kibernetike dhe vjedhjen kibernetike, shërbimet dhe bujqësinë, tha Shtëpia e Bardhë.
Të dy vendet kanë rënë dakord se do të përpiqen që ky ndryshim në politikat e tyre ekonomike të vihet në jetë brenda 90 ditëve të ardhshme, por nëse kjo nuk ndodh, atëherë tarifat 10 për qind do të rriten në 25 për qind.
Diplomati më i lartë i qeverisë kineze, këshilltari i shtetit Ëang Yi, tha se negociatat u zhvilluan në një "atmosferë miqësore dhe të sinqertë".



