Maturantët të cilët nuk kanë mundësi të aplikojnë për në universitete pasi kanë mbetur në provimet e maturës do të kenë një shans të dytë për kuotat e mbetura bosh. Ministria e Arsimit ka firmosur dokumentin në të cilin janë vendosur edhe datat se kur do të ribëhen provimet, të cilat do të jenë në një formë tjetër.
Përsa u përket datave, katër provimet do të zhvillohen nga data 24 gusht deri më 3 shtator. Më konkretisht, provimi i gjuhës së huaj do të jepet më 24 gusht, 27 gusht provimi i gjuhës shqipe dhe letërsisë, më pas i matematikës më 31 gusht dhe për t’u përmbyllur në datën 3 shtator me provimin me zgjedhje. E njëjta gjë vlen edhe për maturën shtetërore në gjimnazet profesionale.
Përsa i përket mënyrës se si do të jetë i ndërtuar testi, mësohet se të gjitha pyetjet do të jenë të ndërtuara me alternativa dhe do të ketë 60 pikë. Sakaq, provimet do të zgjasin nga dy orë e 30 minuta dhe do të nisin duke filluar nga ora 10:00.



