
Pylli tropikal i Amazonës po shkon drejt një "pike kthese" ku pemët mund të vdesin masivisht. Një studim sugjeron se pylli më i madh i shiut në botë po humbet aftësinë e tij për t'u rikthyer nga dëmet e shkaktuara nga thatësirat, zjarret dhe shpyllëzimi.
Zona të mëdha mund të bëhen një savanë me pyje të rrallë, e cila është shumë më pak efikase se pyjet tropikale në thithjen e dioksidit të karbonit nga ajri. Pylli gjigant bllokon karbonin që përndryshe do të shtonte ngrohjen globale.
Por studimet e mëparshme kanë treguar se pjesë të Amazonës tani po emetojnë më shumë dioksid karboni sesa mund të absorbohet.

"Pemët po humbasin shëndetin dhe mund të jenë duke iu afruar një pike kthese - në thelb, një humbje masive e pemëve," tha Dr Chris Boulton nga Universiteti i Exeter.
Gjetjet, të bazuara në të dhëna satelitore prej tre dekadash, tregojnë tendenca alarmante në "shëndetin" e pyjeve tropikale të Amazonës.
Ka shenja të një humbjeje të qëndrueshmërisë në më shumë se 75% të pyllit, ku pemët kërkojnë më shumë kohë për t'u rikuperuar nga efektet e thatësirave të shkaktuara kryesisht nga ndryshimet klimatike, si dhe nga ndikimet njerëzore si shpyllëzimi dhe zjarret.
Dhe ndërsa nuk është e qartë se kur mund të arrihet ajo pikë kritike, implikimet për ndryshimin e klimës, biodiversitetin dhe komunitetin lokal do të ishin "shkatërruese".
Sapo të fillojë procesi, ata parashikojnë se mund të jetë një çështje dekadash përpara se një "pjesë e rëndësishme" e Amazonës të shndërrohet në savanë - një ekosistem shumë i ndryshëm i përbërë nga një përzierje e kullotave dhe pemëve.
Rreth një e pesta e pyjeve tropikale tashmë është humbur, krahasuar me nivelet para-industriale, thanë ata.
Hulumtimi u krye nga Universiteti i Exeter, Instituti i Potsdamit për Kërkimin e Ndikimit Klimatik (PIK) dhe Universiteti Teknik i Mynihut.



