
Moti në vendin tonë gjatë javës pritet të jetë relativisht i qëndrueshëm, me alternime kthjellimesh dhe vranësirash të lehta.
Meteorologia Anira Gjoni nga IGJEUM, në një lidhje për “MCN Live”, bëri të ditur se deri të mërkurën parashikohen reshje lokale shiu, kryesisht në zona të izoluara të vendit.
Reshjet do të jenë të dobëta dhe të karakterit lokal, kryesisht në veri dhe në zonat malore, ku mund të shoqërohen edhe me reshje dëbore.
Nga e enjtja, parashikohet ndërprerje e reshjeve dhe një përmirësim gradual i kushteve atmosferike.
Sa i përket temperaturave, ato do të vijojnë të jenë të ulëta në mëngjes dhe gjatë natës, veçanërisht në zonat malore, ku termometri pritet të zbresë deri në 4-5°C. Në ultësirë, temperaturat minimale do të luhaten rreth 8–10°C.
Nga dita e martë dhe sidomos pas së mërkurës, pritet një rritje graduale e temperaturave të mesditës, ku maksimalet mund të arrijnë deri në 21°C në disa zona të vendit.
Pjesa e parë e javës do të karakterizohet nga mëngjese të ftohta dhe temperatura të ulëta gjatë natës, ndërsa në mesditë do të ndihen më të ngrohta për shkak të rritjes graduale të vlerave termike.
Në vijim, Gjoni parashikoi një dimër pak më të ftohte, krahasuar me dimrin e kaluar.
Dimri që po vjen parashikohet të jetë më i ftohtë se ai i vitit 2024, megjithatë temperaturat do të mbeten mbi mesataren sezonale në pjesën më të madhe të kohës.



