
Nxënësi nga Kosova, Dalmat Selimi, ka fituar së fundi një bursë të plotë studimi në vlerë prej 332 mijë dollarësh në 'Rice University' në SHBA.
Në një intervistë për programin e mëngjesit "Zgjohu me MCN", ai rrëfeu pasionin e tij për fizikën dhe faktin se si një ese e shkruar ka luajtur një rol të rëndësishëm në fitimin e bursës për këtë universitet të prestigjioz.
Jam në Prishtinë dhe viti shkollor fillon në gusht, dhe atëherë do të nisem për në SHBA.
Shkaku që më ndihmoi të fitoj bursën ka qenë një ese që kam shkruar në shkollën fillore, ku një mësuese më dha shembuj të shkëlqyer. Po ashtu, edhe në shkollën e mesme kam pasur mësues që më mbështetën.
Besoj se kjo ka ndikuar shumë, por nuk ishte vetëm eseja, kishte edhe shumë kritere të tjera që universiteti shqyrtoi. Njëra prej tyre ishte pjesëmarrja ime në gara ndërkombëtare në fizikë, që janë organizuar nga Shoqata e Fizikës së Kosovës.
Dalmati po ashtu ka një pasion të madh për muzikën dhe pianon.
Kam filluar të luaj piano që në klasën e tretë. Në fillim më është dukur shumë e vështirë, dhe pas tre vitesh kam menduar ta lija, por prindërit më mbështetën dhe më inkurajuan të vazhdoj.
Më pas e kuptova se ishte diçka e vlefshme. Mësuesi im më dha të luaja kolonën zanore të Super Marios, që në fillim ishte e vështirë, por duke u ushtruar, kam kuptuar rëndësinë e pianos. Kam luajtur muzikën klasike të lojës Super Marios.
Dalmat ka vazhduar shkollën e mesme në drejtimin e Shkencave dhe Informatikës, dhe tani është i fokusuar në fizikë.
"Kur fillova të merrem me fizikë, ishte diçka që nuk e dija mirë, por më pëlqeu gjithnjë e më shumë ndërkohë që e studioja më shumë."
Aplikimi i tij për bursë në SHBA ka nisur pasi shkolla e ka inkurajuar, por ai nuk e priste të fitonte.
Fillimisht nuk prisja që do të fitonim. Procesi ishte shumë i lodhshëm, sepse kishte shumë dokumente dhe letra që duhej të plotësoja, përfshirë ese dhe kërkesa specifike.
Megjithatë, besoja se ia vlente gjithë mundi, dhe tani që kam fituar, jam shumë i lumtur.
Në gusht, Dalmati do të nisë studimet në SHBA dhe është i bindur se është gati për këtë hap të rëndësishëm në jetën e tij.



