
Pas takimit që mbajti sot me aleatët e PD, i pari i kësaj partie, Lulzim Basha, bëri të ditur se opozita ka tashmë një platformë me pesë pika për nxjerrjen e vendit nga kriza, e cila i është dorëzuar kryeministrit Edi Rama.
Basha u shpreh se i është dhënë edhe një ultimatum kryeministrit për plotsimin e këtyre pikave.
“Nuk është një çështje për Bashën dhe Ramën…Shqipëria është në krizë. Ne kemi një plan për ta nxjerrë vendin nga kriza. Ne kemi një plan për reformën zgjedhore. I kemi dorëzuar Ramës nje plan, nëpërmjet njerezve të tij. Nese nuk e zbaton atë plan, atehere të hapë krahun se e zbatojmë vetë”, tha Basha shkurt.
Platforma e propozuar nga opozita përmban 5 pika, të cilat janë prezantuar më herët në tryezën e organizuar nga OSBE.
Ndër të tjera, në këtë plan thuhet se diskutimet mbi Reformën Zgjedhore duhet të jenë transparente, gjithëpërfshirëse dhe publike. Duke iu referuar këtij plani, Partia Demokratike kërkon që asnjë komision parlamentar , i drejtuar nga individë që duhet të ishin në burg për krime elektorale, nuk gëzon legjitimitetin për realizimin e Reformës Zgjedhore.
Më tej, në këtë platformë të propozuar nga opozita komunikohet se, diskutimi për Reformën Zgjedhore duhet të kryhen sipas një rendi përparësish, me qëllim zgjidhjen e problematikave që kërkojnë vullnet politik.
Ndërkaq, nëpërmjet këtij plani PD bën me dije se duhet të ofrohen garanci shtetërore për barazi të subjekteve zgjedhore dhe zhvillimin e zgjedhjeve demokratike.
Gjithashtu, në një nga pikat e kësaj platforme kërkohet ofrimi i garancive për vendimmarrje të drejtëpërdrejtë nga qytetarët, përmes bërjes efektive të Referendumeve.

Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi ka deklaruar se platforma me 5 pika që i është dërguar kryeministrit Rama është një strukturë strategjike që kërkonë palë nga mazhoranca dhe opozita për zgjidhjen e krizës politike. Ndërsa për deklaratën e një dite më parë që kryeministri Rama u shpreh se është i gatshëm të shkojë deri në PD për zgjidhjen e krizës politike, Kryemadhi u shpreh se ai duhet të kthejë përgjigje për platformën dhe më pas të vijë për dialog në PD.
Në takimin e sotëm të Bashës me aletatët në fokus mësohet të ketë qenë situata politike dhe vendimi që pritet të jepet për çeljen ose jo të negociatave.
Më herët, opozitarët kanë deklaruar se do të bëjnë gjithçka për hapjen e negociatave, ndërsa kanë pezulluar edhe protestat deri në dhënien e një vendimi nga BE.



