Sekretari i Përgjithshëm i Nato-s, Jens Stoltenberg, ka deklaruar se po mpërgatitet një plan në rast të një vale të dytë të goditjes së pandemisë së koronavirusit. Për planin në fjalë ranë dakord ministrat e mbrojtjes, ndërsa specifikisht kishte të bënte me grumbullimin e pajisjeve mjekësore, por edhe krijimin e një fondi.
“Anëtarët e NATO-s do të krijojnë një stok të përbashkët të pajisjeve mjekësore dhe një fond krize me vlerë në miliona, për të shpenzuar në furnizime kritike mjekësore,”- tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas përfundimit të bisedimeve dyditore.
“Detyra thelbësore e NATO-s në pandemi është të sigurojë që kjo krizë shëndetësore të mos bëhet një krizë sigurie,”-shtoi më tej ai.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s nuk dha detaje të tipit se kur do të mblidhen këto pajisje mjekësore apo se sa do të jetë fondi për të përballuar një valë të dytë të pandemisë së koronavirusit, por siguroi se ‘aleatët tashmë kishin filluar të premtonin dhe se disa ndihma do jenë në dispozicion së shpejti’.



