Arrihet dakordësia për administrimin e zgjedhjeve. Pas ditësh të tëra negociata me ndërmjetësinë e ambasadorëve, palët politike kanë arritur dakordësinë për administrimin e zgjedhjeve.
Mazhoranca, opozita parlamentare dhe ajo jashtëparlamentare kanë rënë dakord për një marrëveshje me 12 pika.
Marrëveshja përfshin pikat ku mazhoranca me opozitën kanë rënë dakord dhe ato për të cilat nuk pati dakordësi.
Dokumenti në anglisht është firmosur nga 4 anëtarët e Këshillit Politik.
Në fund të tij saktësohet se nuk ka pasur konsensus sa i përket ndryshimit të sistemit zgjedhor.
Kryedemokrati Lulzim Basha e cilësoi këtë një hap përpara.
"Në emër të Opozitës së Bashkuar ju shpreh falenderimet tona aleatëve dhe partnerëve tanë euro-atlantikë për ndihmën dhe kontributin e tyre për gjetjen e dakortësisë për administrimin zgjedhor. Sot kemi hedhur një hap përpara, për të mundësuar më shumë garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme në Shqipëri. PD dhe Opozita e Bashkuar është e gatshme dhe po punon përditë për t'jua kthyer qeverisjen shqiptarëve", shkruan ai në Twitter.
Yuri Kim
Të kënaqur që pamë arritjen e një marrëveshjeje. Secila palë kontribuoi dhe në fund të gjithë lëshuan terren. Ky është një moment krenarie. Disa mund ta kritikojnë këtë marrëveshje si jo të plotë, por kur e shikon në panoramën e plotë, është një hap i madh përpara. Ne jemi krenarë për këtë marrëveshje dhe do të vijojmë ta mbështesim Shqipërinë në rrugën drejt BE.
Edi Rama
Pas 3 vjetësh marshim e 3 netësh ngujim na sollën fjalën e fundit: “Mirë e kishim ashtu siç e kishim”. Po mirë, unë kam menduar e mendoj që ka edhe më mirë, po meqë LBPD janë të kënaqur me kaq për zgjedhjet e ardhshme, bujrum, si ta duan ata. Rëndësi ka që: LBPD do hyjë në zgjedhje me Kodin Zgjedhor siç e deshën vetë✌️ ODHIR është dakord që kjo nuk e cënon lirinë e zgjedhjeve. BE është e kënaqur, Shqipëria s’ka më pikëpyetje në prag të vendimit për datën e nisjes zyrtare të negociatave Ah po, mbaroi edhe revolucioni!



