Vijojnë kontrollet e Policisë përgjatë vijës bregdetare në kuadër të operacionit “Plazhi i lirë”, me qëllim lirimin e hapësirave publike të zëna në mënyrë të paligjshme gjatë sezonit veror.
Gjatë kontrolleve të zhvilluara në plazhin e Golemit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë kanë evidentuar zënie të paligjshme të hapësirave publike me çadra dhe shezlongë. Si rezultat i ndërhyrjes, janë hequr dhe sekuestruar 116 çadra dhe 232 shezlongë.
Për shkeljet e konstatuara, janë referuar materialet në Prokurori dhe ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë për tre shtetas, konkretisht A. B., 54 vjeç, D. K., 38 vjeç dhe F. D., 24 vjeç, banues në Kavajë.
Policia bën me dije se kontrollet do të vijojnë përgjatë gjithë vijës bregdetare, me fokus garantimin e aksesit të lirë të qytetarëve në hapësirat publike dhe verifikimin e veprimtarive të subjekteve gjatë sezonit turistik.
Autoritetet u bëjnë apel qytetarëve dhe operatorëve që të respektojnë hapësirat publike dhe të shmangin çdo ndërhyrje të paligjshme, pasi shkeljet do të shoqërohen me masa administrative dhe procedime sipas legjislacionit në fuqi.



