
Eksperti Pano Soko deklaroi në studion e emisionit “MCN Economy” se ndërveprimi mes portalit E-Albania dhe platformave bankare të internet banking është sa e mirë, po aq dhe e rrezikshme, por që për momentin është e parakohshme.
Duke vijuar shpjegimin e tij, Soko tha se ky ndryshim duhet të vijë paralelisht me ndërgjegjësimin e shoqërisë dhe me rritjen e sigurisë kibernetike.
Është sa i mirë po aq dhe i rrezikshëm, pasi duhet të vijë paralelisht me ndërgjegjësimin e shoqërisë, shoqëria jonë është pak e prapambetur, jemi shoqëri që as gjysma e tyre nuk ka llogari bankare. Teknologjizimin e shoqërisë e kemi me hapa të avashtë. Janë qendrat e internetit, kancelaritë që marrin përsipër shërbimet për qytetarët, por në këtë rast humbet privatësia. E-albania duhet të jetë si çelësi i shtëpisë. e dyta është fakti i sigurisë kibernetike. Pavarësisht premisave dhe pritshmërive, ky vit tregoi që mund të jemi vend vulnerabël, ne s’jemi të përgatitur. Sistemet tona informatike janë shumë vulnerabël. Mund të bëjë një dëm më të madh se publikimi i pasaportave. E shoh të parakohshme, do shkojmë aty, por duhet të mendojmë për kulturimin e shoqërisë dhe sigurinë.
Ne si shoqëri kemi prapambetje në kulturën financiare, në mënyrën si përparojmë, kemi ligjet më të forta në rajon që detyrojmë qytetarët të përdorim bankat, por përsëri dështojmë. Problemi është pse kemi këtë nivel të lartë keshi. Po nuk hoqëm keshin nuk bëjmë dot asgjë tjetër, keshi është faktor i mënyrës se si ne e bëjmë ekonominë tonë. E dyta është paraja e pistë që infiltrohet më lehtë në një ekonomi që përdor keshin.



